Skip to content

Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësim për ndërtimet ilegale të Izraelit në Kudsin Lindor

Mbretëria e Bashkuar shprehu shqetësim të thellë nga vendimi i Izraelit për fillimin e procesit të tenderimit për vendbanim të ri ilegal kolon në Kudsin Lindor të pushtuar, duke i kërkuar qeverisë së Tel Avivit të revokojë menjëherë vendimin

Nëpërmjet një deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme tha se ndiejnë “shqetësim të thellë” në lidhje me vendimin për të ndërtuar 540 ndërtesa të reja në vendbanimin ekzistues kolon në Har Homa në Kuds, duke rikujtuar po ashtu se Izraeli po ashtu u mobilizua për të zbatuar vendimin për ndërtimin e 1.257 njësive të banimit në vendbanimin Givat Hamatos më 15 nëntor.

Qëndrimi i Britanisë ndaj vendbanimeve Izraelite është i qartë, thuhet në deklaratë.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, vendbanimet janë të paligjshme dhe minojnë përpjekjet për të rindërtuar besimin dhe dialogun midis palëve. Ne i bëjmë thirrje Izraelit ta tërheqë këtë vendim menjëherë”, thuhet më tej.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte njoftuar më 20 shkurt se do të ndërtonin 5.200 njësi të reja banimi në dy vendbanime ilegale hebreje në Kudsin Lindor të pushtuar.

Kryeministri izraelit kishte thënë se 2.200 nga banesat në fjalë do të ndërtoheshin në Har Homa dhe 3.000 në vendbanimin hebre Givat Hamatos në Kudsin Lindor.

Qeveria izraelite filloi procesin e tenderimit për ndërtimin e 1.257 banesave të reja për vendbanimin e paligjshëm hebre Givat Hamatos në Kudsin Lindor më 15 nëntor dhe 540 banesave në Har Homa më 24 nëntor.