Mbreti Charles III është monarku i parë britanik në rreth 400 vjet që merr pjesë në një Meshë Katolike Romake, duke iu bashkuar anëtarëve të familjes së tij në funeralin e Dukeshës së Kentit, gruas së një kushëriri të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth.
Dukesha Katharine Worsley, e cila hyri në familjen mbretërore duke u martuar me Princin Edward, Dukën e Kentit në vitin 1961, vdiq më 4 shtator në moshën 92 vjeçe. Si pjesë e një vigjiljeje private të mbajtur një ditë më parë, arkivoli i saj qëndroi gjatë natës në Kapelën e Virgjëreshës së Bekuar.
Publiku e kujton më shumë për praninë e saj në turneun e tenisit në Wimbledon, ku ajo ndihmoi në dhënien e trofeut që nga viti 1969. Ajo është gjithashtu e njohur për konvertimin në besimin katolik romak në vitin 1994, kur u bë anëtarja e parë e familjes mbretërore britanike që e bëri këtë që nga Mbreti Charles II, i cili u konvertua në shtratin e vdekjes në vitin 1685.
Ndaj, duke marrë pjesë në Funerali i dukeshës, Charles III, kreu suprem i Kishës Protestante të Anglisë, theu traditën.
Shërbesa në Katedralen Westminster të Londrës u drejtua nga Kardinali Vincent Nichols, udhëheqësi shpirtëror i katolikëve në Angli dhe Uells. Në meshë morën pjesë djali i mbretit dhe trashëgimtari i fronit, Princi William, dhe gruaja e tij Kate, ndërsa gruaja e Charles, Camilla, mungonte për shkak të një ftohjeje të lehtë.
“Ky funeral do të jetë me rëndësi të madhe historike. Ky është një hap i madh përpara në marrëdhëniet ekumenike”, tha Catherine Pepinster, ish-redaktore e të përjavshmes katolike The Tablet, për Sunday Times.
Charles ka theksuar për vite me radhë se dëshiron të mbrojë të gjitha besimet. Ai dhe gruaja e tij Camilla janë ndër vizitorët e fundit zyrtarë që panë Papa Françeskun para vdekjes së tij në prill. /tesheshi.com/



