Problemet (anomalit) më të shpeshta të shikimit që hasen tek fëmijët:

Sëmundjet e syrit te fëmijët mund të jenë të lindura ose të fituara. Dy patologjitë më të shpeshta që hasen tek këta mosha janë çrregullimet e refraksionit (numrat e syzeve) dhe strabizmi (shtrembërimi i syve nga boshti qendror), i cili mund të jetë i lindur ose i fituar. Kur nuk është i lindur, strabizmi mund të vijë si pasojë e ndonjë traume ose temperature të lartë, që ka kaluar fëmija. Ka lloje të ndryshme strabizmi. Është konvergens, kur syri shkon brenda dhe divergens kur syri shkon jashtë. Ndërkohë kemi dhe hipertropi dhe hipotrofi, kur syri lëviz lart dhe poshtë. Gjithashtu tek fëmijët e vegjël shfaqen dhe anomalitë e refraksionit, të cilat janë miopia, hipermetropia dhe astigmatizmi. Edhe këto anomali mund të jenë të lindura ose të fituara. Në bazë të defektit të boshtit të përthyerjes së rrezeve rritëse, përcaktohet se çfarë anomalie refraksioni është. Sëmundje të tjera, që janë më të rralla, janë glaukoma, katarakt ose degjenerimet distrofike retinale kongenitale.

Ndikimi i pajisjeve teknologjike:

Syri është organ delikat dhe shumë i rëndësishëm, jo vetëm për fëmijët por për të gjithë ne, dhe duke qenë si i tillë, çdo rrezatim, përveç atyre normal, nuk konsiderohet i shëndetshëm. Këshillohet që fëmijët të ekspozohen para kompjuterit, iPad-it, telefonave inteligjentë me orare të kontrolluara, sepse sado të kuruar mirë të jenë këto pajisje, para rrezatimeve të tyre syri është shumë delikat.

Koha e qëndrimit para ekraneve:

Shpesh për arsye detyrash/ projektesh, fëmijëve u duhet të qëndrojnë gjatë para kompjuterit.

Rekomandohet jo më shumë se treçerek ore dhe gjatë qëndrimit të bëhen ndërprerje të shkurtra 20 sekonda për të bërë fizkulturën e syrit. P.sh, nëse ka qëndruar 20 minuta duke lexuar, për 20 sekonda duhet të ngre kokën, të hedhë shikimin në një ambient tjetër, ose nga dritarja.

Fëmijëve që u skuqen sytë mund të hedhin dhe lot artificial, sepse kjo është një tjetër ankesë e qëndrimit të gjatë para pajisjeve të tilla, pra tharja e syrit. Duke qenë shumë të përqendruar në atë që bëjnë/ lojën, harrojnë të bëjnë përpëlitjen normale të syrit. Por, nëse ne nuk i mbyllim sytë, nuk shtrydhet gjëndra e lotit, dhe për pasojë nuk bëhet as lubrifikimi i duhur duke shkaktuar tharjen. Prandaj dhe kur fëmijët rrinë me orë të zgjatura para kompjuterit, i kanë ose sytë e skuqur ose u kruhen. Në fëmijët që kanë çrregullime refreksioni, ja shtojnë ose akoma më shumë ose japin dhimbje koke.

Prandaj kur shikoni fëmijën që ka tendencë të afrohet afër televizorit, ul kokën kur lexon, duhet çuar patjetër për kontroll tek okulisti.

Për sa i përket qëndrimit, pozicioni në tavolinë/ libri duhet të jetë 35 cm larg, duhet të ketë dritë të mjaftueshme, më e mira do ishte drita natyrore, por edhe nëse nuk e kemi dritën natyrore, duhet të kemi një dritë mbi libër, jo mbi syrin e fëmijës dhe mundësisht drita të ngrohta.

Protokolli mjekësor i vizitave të syve tek fëmijët:

Vizita e parë e fëmijës bëhet në moshën 2 vjeç- 2 vjeç e gjysëm. Vizita tjetër bëhet në moshën 5 vjeç/ parashkollore dhe 6 vjeç kur shkojnë në shkollë. Në moshën 2 vjeç e gjys bëhet për të parë dëmtime madhore ose ndonjë çrregullim të refraksionit siç është miopia, hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik, që janë të lindura dhe mund të na japin dembelizëm të syrit ambliopik.

Në moshën 5 vjeçare bëhet kur fëmijët që e kanë bërë në moshën dy vjeçare mund të kenë rezultuar normal nga egzaminimi i moshës 2 vjeç- 2 vjeç e gjysëm por mund të fillojnë disa problem të tjera sepse fëmijët shkojnë në parashkollorë, fillon hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik dhe fëmija ka vështirësi në shikim, kruarje të syrit, ose e përpëlit syrin shpesh/ ka gjendje diskomforti që ndonjëherë dhe vetë ne okulistët kur nëna na i sjellë për vizitë i anashkalojmë e herë i ngatërrojmë me infeksione e gjëra të lehta, por që duhet të thellohemi sepse mund të fillojë një hipermetropi që i shkakton këto çrregullime fëmijës. Dhe sigurisht në moshën 6 vjeçare, patjetër që duhet bërë sepse në atë kohë instalohet hipermetropia dhe fëmija kur shkon në shkollë do të ketë goxha vështirësi. Kontrollet e tjera bëhen në moshën 9-10 , 13-14 dhe 18 vjeç.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re