Presidenti Trump, tha të mërkurën në një intervistë se ishte ai, jo fushata e tij, që pagoi paratë përmes avokatit të tij personal, Michael Cohen, në vitin 2016 – vetëm disa ditë para zgjedhjeve, por shtoi se nuk kishte dijeni për këtë në atë kohë.

“E mësova më vonë,” tha zoti Trump për kanalin Fox News.

Një pjesë e intervistës u publikua nga Fox News të mërkurën vonë. Në klipin e publikuar, presidenti këmbëngul se nuk janë përdorur fondet e fushatës për pagesat ndaj dy grave që pretendonin se kishin patur marrëdhënie me të.

“Nuk ka të bëjë me shkeljen e ligjeve për fushatat,” tha Presidenti.

Cohen i tha një gjykatësi federal të martën në New York se ai i bëri pagesat për dy gratë “me qëllimin kryesor për të ndikuar në zgjedhjen e zotit Trump” dhe se ishte kandidati presidencial që e urdhëroi ta bënte këtë.

Dokumentet e paraqitura në gjykatë tregojnë se kompania e pasurive të paluajtshme e zotit Trump autorizoi pagesën prej 420,000 dollarësh për Cohen për punën e bërë prej tij që të blinte heshtjen e dy grave të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie me kandidatin republikan. Faturat e rreme që thuhet se mund të jenë përdorur për të fshehur natyrën e pagesave mund t’i bëjnë prokurorët të fokusohen më tej te kompania e zotit Trump dhe tek fushata e tij.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, duke iu përgjigjur një breshërie pyetjesh nga gazetarët në një konferencë pasditen e së mërkurës, tha disa herë se presidenti nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se është një “akuzë qesharake” të sugjerosh se presidenti gënjeu më parë për çështjen nëse kishte apo jo dijeni për pagesat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re