“Babai i kriminologjisë” shqiptare, Ismet Elezi, ka festuar ditën e sotme 100 vjetorin e tij të lindjes. Ai konsiderohet si mendimtar dhe profesor i së drejtës penale, njeriu që ka edukuar shumë breza të juristëve, e ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në vend.
Për dhjetëra dekada, ai ka qenë pranë sistemit të drejtësisë duke ofruar pa lodhje dijen e tij të çmueshme e cila ka lënë gjurmë të vyera për t’u ndjekur nga e sotmja dhe e nesërmja.
Ka qenë i pari që ka përfshirë si pjesë të kurrikulave akademike, leksionet e kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë. Është autori i qindra publikimeve, mijëra orë leksionesh për edukimin e brezit të ri, e të dhjetëra librave.
Për gati 20 vite, Elezi ka qenë në krye të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave, ku edhe ka përgatitur legjislacionin shqiptar.
Prof. Elezi ka përfunduar Liceun e Tiranës, më pas Fakultetin e Letërsi-Filozofisë në Firence (Itali), Fakultetin e Drejtësisë, Shën Peterburg, Rusi, Jurist, Studimet Pasuniversitare (aspiratura), Fakulteti i Drejtësisë, Shën Peterburg, Rusi
Në vitin 1961 ka marrë gradën shkencore “Doktor i shkencave“ dhe në vitin 1972 ka marrë titullin “Profesor“.
Ai ka një përvojë profesionale të pasur si Prokuror Kasacioni para Gjykatës së Lartë, pedagog i lëndës “Bazat e shtetit e të së drejtës“ në Fakultetin Ekonomik, sekretar Shkencor i Institutit të Shkencave, sekretar Shkencor i Universitetit që nga krijimi i tij, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave, Drejtues i Katedrës Penale në Fakultetin e Drejtësisë, Titullar i lëndës “E drejta Penale” në Fakultetin e Drejtësisë, pedagog i jashtëm i lëndëve “Kriminologjia“ dhe Politika Penale, ne studentët e tij jemi krenar për Prof dhe kontributin e tij.
Në 100 vjetorin e tij të lindjes, ai ka marrë urime nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe nënkryetarja e parlamentit, Vasilika Hysa.
