U mbyllën sot pasdite në orën 18.00 aplikimet për kryeprokuror të përkohshëm, një proces ky që nisi menjëherë pasi komisioni i ligjeve zyrtarizoi mbarimin e mandatit të Adriatik Llallës.
 
Në protokollin e kryesisë së kuvendit u depozituan kërkesat e 7 kandidatëve për kreun e organit të akuzës.
 
Mësohet se për këtë post do të jenë në garë prokurori i apelit të Durrësit Ferdinand Elezi, Arta Marku, Besnik Muçi, Granit Shahu, Ermira Tafani si dhe dy prokuroret e prokurorisë se përgjithshme, Arqile Koça dhe Artur Selmani.
 
Të gjithë kandidatët do të kalojnë në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të ligjeve. Më pas kandidaturat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj, do të kalojnë për votim në seancë plenare.
 
Kryeprokurori i ri që pritet të zgjidhet nga kuvendi do ketë mandat të përkohshëm deri në krijimin e këshillit të lartë të prokurorisë në pranverë të vitit të ardhshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re