Për të dytën herë kreu Lulzim Basha do të përballet në gjykatë me drejtësinë shqiptare. Pas gjyqit për akuza korrupsioni në ndërtimin e Rrugës së Kombit, zoti Basha do të shkojë në Gjykatën e Tiranës si i pandehur për lobimin 675.000 usd në SHBA.

Prokuroria e Tiranës ka dërguar një shkresë në selinë e PD, për të njoftuar kreun e kësaj partie Lulzim Basha, se ndaj tij kanë përfunduar hetimet për lobimin në SHBA përmes kompanisë offshore Biniata Trade.

Nga kjo shkresë që disponon Top-Channel zoti Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi njoftohet nga prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha se kanë përmbyllur fazën hetimore dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat për falsifikim të vulave dhe stampave përfshi atë të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Tashmë kjo çështje shkon për gjykim në Gjykatën e Tiranës.

Mësohet se për të zbuluar mekanizmin e operacionit të lobimit në SHBA dhe të gjitha veprimet e kryera, për prokurorët ka patur një rëndësi të posaçme dëshmia e Gazment Bardhit aktualisht sekretar i përgjithshëm në PD.

Për momentin mbetet e paqartë nëse prokurorët e kësaj çështje kanë mundur të sigurojnë edhe dëshminë e lobistit, Nikola Muzin.

Tre prokurorët që hetuan këtë çështje, 3 muaj më parë thanë se kanë marrë një përgjigje të pjesshme nga autoritet amerikane dhe vijon komunikimi.

Në këtë çështje , dëshmia e Nikola Muzin është thelbësore, për të patur një panoramë të plotë të ngjarjeve që e lidhin atë me PD dhe Lulzim Bashën dhe për të kuptuar se për çfarë arsyesh, ai shprehet se ka marrë drejt për drejtë 525.000 dollarë. Po ashtu dhe pse shprehet se 150.000 dollarë të Biniata Trade janë shpenzuar për llogari të PD.

Vetë Nikolas Muzin, tre muaj më parë ka kërkuar të ushtrojë të drejtën e tij sipas nenit 5 të kushtetutës së SHBA, për mos tu vetë inkriminuar.

Gjithashtu autoritetet amerikane të drejtësisë, i kërkuan prokurorëvë shqiptarë që të bëhet e qartë nga Drejtësia Shqiptare, nëse statusi Nikolas Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm, i hetimit dhe nëse Nikolas Muzin, ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptarë. Prandaj prokurorët shqiptarë, shtynë afatet e hetimit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re