Kodrat e Liqenit nuk kishin qenë kurrë më të boshatisura se kjo fundjavë. Shiritat e vendosura nga Policia e Shtetit njoftonin qytetarët se i gjithë perimetri i parkut do të jetë i mbyllur deri në momentin që Shqipëria do të ketë mundur të fitojë betejën me koronavirusin.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=0CWC3Ko1WOE?feature=oembed&w=1200&h=675]

Në gjatësinë e shëtitores së digës të vetmit që mund të ecin janë efektivët e Policisë që në distancë njoftojnë qytetarët për mbylljen e parkut. Disa vrapues, kanë gjetur një shteg për të hyrë në brndësi të parkut dhe bëjnë ndoshta xhiron e tyre të fundit për këtë të dielë, deri në momentin që parku do t’i rikthehet normalitetit.

Por kur shiritat të ndalojnë hyrjen në kodrat e liqenit, trotuari në krah të tij vijon të ketë lëvizje të shumta, me qytetarë që virusi nuk i ka trembur për të kryer itinerarin e tyre të përditshëm.

“Ne nuk është se bëjmë lëvizje, kemi shtëpinë këtu, Mund të dalim për të marrë pak oksigjen, duke qenë larg njëri-tjetrit pa takuar asnjë njeri”, u shpreh një qytetare.

Njësoj si ky zotëri, që e përshkruan situatën në Tiranë si një gjendje lufte, ndonëse beson se marrja me sport e bën imun ndaj virusit.

“Më duket si Tirana në vitet ‘45 dhe ‘46 para se të vinin shokët partizan që na sollën lirinë nga mali”, shprehet ai.

Policia e Rendit dhe ajo ushtarake do të vijojnë të jenë në pikat hyresë të kodrave të liqenit artificial deri në normalizimin e situatës, një masë ekstreme të cilën e diktuan sjelljet e qytetarëve që në situatë vetëizolimi vijonin të mblidheshin në grupe në funksion të argëtimit dhe pasioneve të tyre./abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re