Sot në mbrëmje përfundon afati  për dorëzimin e kandidaturave për procesin e primareve, nga i cili do të dalin kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ajo që bie në sy është se në bashkitë kryesore, Partia Demokratike ka futur në fushën e betejës figurat e saj kryesore politike.

Mësohet se për Bashkinë e Elbasanit, në procesin e primareve do të garojë nënkryetari i partisë, Luçiano Boçi. Ai është propozuar nga struktura dhe pritet të pranojë kandidimin.

Në Tiranë, tashmë kandidatët janë shpallur, dhe garuesit kryesorë janë anëtari i kryesisë Belind Këlliçi dhe mjeku Ilir Alimehmeti.

Në Durrës, në garë ka hyrë ish-deputeti Igli Cara.

Në bashkitë që tradicionalisht janë konsideruar si bastione të Partisë Demokratike, kandidaturat janë dorëzuar prej ditësh; në Shkodër do të garojë Bardh Spahija, i cili fitoi këtë bashki në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit; në Kukës Admir Sinamati, në Tropojë ish-kreu i bashkisë Besnik Dusha dhe ish-deputetja Mimoza Hadarmataj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re