Ambasada shqiptare në Athinë mbylli dyert për qytetarët për shkak të koronavirusit. Një punonjës i ambasadës rezultoi pozitiv dhe kjo detyroi të gjithë stafin të karantinohet derisa të dalë përgjigja e tamponit. Selia jonë diplomatike në Greqi kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe u bëri thirrje që të mos paraqiten në ambasadë.

 

“Duke kërkuar ndjesë për mbylljen e beftë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, ju njoftojmë se në kushtet e marrjes së informacionit në orët e vona të ditës së djeshme për infektimin e një specialisti të Ambasadës, i cili pas kryerjes së testimit përkatës rezultoi pozitiv ndaj Covid-19, ishim të detyruar të ndërmerrnim masa urgjente dhe ekstreme. Për sa më lart, mbetemi në pritje të të gjithë rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, të cilave konsujt dhe punonjësit e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë i janë nënshtruar, për t’ju rikthyer shërbimit sa më shpejt dhe të sigurt. Brenda pasdites së sotme do të njoftoheni nëse Ambasada do të vijojë të qëndrojë e mbyllur edhe ditën e nesërme, apo do t’i rikthehet punës pandalur, edhe përtej orarit, si zakonisht. Lutemi të mos paraqiteni pranë Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe të respektoni këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit tuaj.”

 

Takimet me qytetarët, sipas sqarimit të ambasadës në “Facebook”, do të spostohen në momentin më të afërt. Gjithashtu, ambasada e Shqipërisë në Athinë bëri me dije se ka patur edhe një defek teknik në sistem, për të cilin po punohet për ta zgjidhur. Siç është bërë tanimë zakon, po bëhet edhe dezinfektimi i të gjitha ambienteve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re