Pas një sërë aktivitetesh që shënjuan Javën Shqiptaro-Amerikane në Tiranë, dje pasdite në Pazarin e Ri u organizua eventi përmbyllës me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreut të Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi veçanërisht mbështetjen për transformimin e Pazarit të Ri dhe Piramidës.

 

“Këtu te Pazari i Ri nuk kemi vënë një gur, por kemi krijuar një komunitet. Komunitetin e atyre që shesin, e atyre që blejnë, e atyre që dashurohen, e atyre që njihen, që pijnë një kafe, që ndajnë një histori dhe që e bëjnë Tiranën sot më të fortë. Mezi pres që 100 vitet e tjera të kësaj marrëdhënie speciale, të jenë akoma më të forta e më të dobishme. Me mirënjohjen se ndoshta nuk jemi perfekt, por siç i thonë fjalës: Ditët më të mira i kemi përpara!”

 

Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff tha se investimet e përbashkëta kanë gjeneruar ekonomi për vendin dhe kanë shtuar ndjeshëm edhe numrin e turistëve.

 

“Miqësia dhe partneriteti janë shumë të rëndësishme, duke patur parasysh se në ç’botë të vështirë po jetojmë sot. Qëllimet tona kanë qenë fare të thjeshta. Donim t’i bashkonim njerëzit, donim të krijonim komunitet dhe të forconim rritjen ekonomike. Vende si këto [Pazari Ri], nuk janë vende që i shijojnë vetëm shqiptarët, por janë vende ku vijnë turistë nga e gjithë bota”.

 

Transformimi i Piramidës, por edhe krijimi i Fondit Crimson dhe nisma Protik. janë disa nga projektet që janë financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re