Në Korçë është bllokuar tregu I shitjes me shumicë të fruta-perimeve, pas një vendimi të bashkisë që synon të verë kontroll midis tij dhe tregut të shitjes me pakicë të këtyre produkteve.
Tregu i shumicës është mbyllur mëngjesin e të hënës, duke shkaktuar një reagim proteste te fermerët që shesin aty prej vitesh.
Shitësit nga fshatrat kanë bllokuar për pak kohë rrugën e unazës të jashtme të qytetit ku funksionon ky treg me mjetet e tyre.
Pas ndërhyrjes të policisë rruga është liruar. Në shenjë proteste ata kanë vazhduar me hedhjen e disa prej prodhimeve në rrugë, duke kërcënuar se do ta vazhdojnë më tej këtë veprim.
Të ardhur që në orët e para të mëngjesit për të tregëtuar prodhimet e tyre, fermerët e zonës nuk janë lejuar të hyjnë në ambjentet e tregut.
Ata janë bllokuar me argumentin e autoriteteve të tregut të shumicës se shesin vetëm me NIPT fermeri pa qënë të pasjisur me NIPT tregëtari.
Kjo është pengesa që nuk I lejon të shesin më në tregun e shumicës të fruta-perimeve. Ndërsa tregëtarët e pajisur me liçensë kanë vazhduar normalisht aktivitetin e tyre.
Bashkia Korçë është vendosur mes dy zjarreve përsa I përket funksionimit të tregjeve me shumicë dhe pakicë të fruta-perimeve.
Tregtarët e markatos së re ku shitet me pakicë janë ankuar dhe protestojnë se konkurohen në mënyrë të pandershme nga tregu I shumicës.
Nga ana tjetër, fermerët që shesin në tregun e shumicës pretendojnë se kanë 20 vite me aktivitet në këtë treg dhe e konsiderojnë të padrejtë të ndalohen me rregullat e reja.
Tani në pikun e prodhimeve bujqësore, në tregun e shumicës të fruta-perimeve në Korçë vijnë të shesin produktet e tyre reth 200 fermerë nga zona e Korçës e Devollit.
Ata e kanë kryer këtë aktivitet deri tani të pashqetësuar, por konkureca që u sjellin tregtarëve të pakicës ka shkaktuar përplasje interesash dhe ndërhyrje të bashkisë për të disiplinuar funksionimin e këtyre dy tregjeve.