Këto janë momentet e rënda kur forcat greke të shpëtimit nxjerrin nga uji disa emigrantë që u mbytën, pas përmbysjes së dy varkave në brigjet e ishujve Kithiras dhe Lesvos.
Të paktën 17 persona u gjetën të pajetë, ku 16 prej tyre ishin gra dhe i 17-ti, një djalë 20-vjeçar. Varka me mbi 40 persona, po transportonte emigrantë me origjinë afrikane kur u përmbys gjatë natës në lindje të ishullit. Nëntë gra u shpëtuan nga forcat bregdetare greke, ndërsa ende vijojnë kërkimet për 15 të tjerë.
Varka ishte nisur nga brigjet turke dhe për shkak të kushteve të këqija të motit u përmbys pranë ishullit.
Po aq dramatike ishte situata edhe qindra kilometra larg Lesvos, ku pranë brigjeve të Kithiras një tjetër varkë me 95 emigrantë u përmbys duke rrezikuar një tjetër tragjedi. Roja bregdetare greke arriti të shpëtonte 80 emigrantë, ndërsa fatkeqësisht 5 të tjerë u mbytën. Ndërkohë, ende vijojnë kërkimet për 10 të tjerë.
Varka në Kithira besohet se goditi shkëmbinjtë, dhe për shkak të mbingarkesës u përmbys.
Tragjeditë me emigrantë në Egje janë të shpeshta ndërsa Greqia dhe Turqia akuzojnë njëra-tjetrën për situatën.