Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me tragjedinë e ndodhur në Vilë-Bashtovë, ku mbetën të vdekur 3 persona të një familjeje, përkatësisht i ati 50-vjeç dhe 2 djemtë e tij të mitur.
Përmes një reagimi në Facebook, Berisha shprehet se kjo tragjedi ishte plotësisht e shmangshme.
Ai thotë se autoritetet i kanë lënë shqiptarët në mëshirë të fatit, pasi sipas tij, Policia e Shtetit, ambulanca, rojet bregdetare kanë dështuar, duke sjellë për rrjedhojë humbjen e tre jetëve.
Reagimi i Berishës:
Një tragjedi plotësisht e shmangshme!
Babai dhe dy djemtë mbyten në plazhin Vilë-Boshtë, një tragjedi e madhe për familjen dhe të afërmit e viktimave.
Autoritetet i kanë lënë shqiptarët në mëshirë të fatit. Policia e shtetit, ambulanca, rojet bregdetare kanë dështuar edhe sot, duke sjellë për rrjedhojë humbjen e tre jetëve.
Dëshmitë e plazhistëve të tjerë tregojnë se nëse autoritetet nuk do të mungonin, por do vepronin sipas detyrave përkatëse, viktimat do të ishin ende gjallë.
Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjarët e tre viktimave. Zoti ua lehtësoftë sadopak dhimbjen e pamasë. #sb