Nëntë shtetas egjiptianë dolën të hënën përpara një gjykate në Greqi për t’u përballur me akuzat për kontrabandë e vrasje, lidhur me një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në brigjet greke në vitet e fundit, ajo e mbytjes së një varke peshkimi me imigrantë.

 

Incidenti ka ngjallur debate dhe kritika të ashpra kundër rojes bregdetare greke, duke ngritur pikëpyetje, nëse mbytja e varkës mund të ishte parandaluar.

 

Mes masave të forta të sigurisë e shoqëruar nga policia, nëntë të dyshuarit u dërguan në gjykatë për t’u përballur me akuzat për kontrabandë e vrasje, në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura që u mbajt në qytetin grek të Kalamatës.

 

Prokurori i posaçëm që po trajton çështjen u dha të dyshuarve 24 orë kohë për t’iu përgjigjur pretendimeve të reja se përpara se varka të mbytej të hënën e kaluar në det të hapur, ata kishin rrahur dhe abuzuar me qindra azilkërkues që ndodheshin në të.

 

Si pasojë e mbytjes së varkës humbën jetën 79 imigrantë dhe qindra të tjerë dyshohet të jenë zhdukur.

 

Të dyshuarit, shtetas egjiptianë të moshës nga 20 në 40 vjeç, kanë mohuar akuzat për kontrabandë.

 

Pakistani arreston 12 të dyshuar në lidhje me tragjedinë në brigjet greke

 

Pakistani njoftoi të hënën se ka arrestuar 12 persona të dyshuar si trafikantë për fundosjen javën e kaluar të varkës së emigrantëve në brigjet e Greqisë.

 

Pakistani ka konfirmuar se vetëm 12 pakistanezë humbën jetën kur një varkë peshkimi, që thuhet se mbante rreth 750 burra, gra dhe fëmijë u përmbys në Mesdhe, pesë ditë pasi u largua nga Libia për në Itali.

 

Por mediat pakistaneze njoftuan të dielën se rreth 300 pakistanezë kanë humbur jetën në incident.

 

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif e shpalli të hënën ditë zie kombëtare për nder të pakistanezëve që nuk i mbijetuan tragjedisë.

 

Zyrtarët grekë thanë se 104 persona arritën të shpëtohen nga varka dhe 78 trupa u nxorën nga deti.

 

Mijëra pakistanezë kryesisht të rinj, që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë, paguajnë kontrabandistët për udhëtimin e tyre nëpër Mesdhe, që shumë shpesh përfundon në tragjedi./voa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re