Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka reaguar në lidhje me lajmin tronditës në Shkodër, ku një nënë është hedhur në lumë së bashku me tre fëmijët e saj, pasi bashkëshorti e dhunonte sistematikisht.

Koçiu shprehet se është tronditur nga kjo ngjarje, ndërsa thekson se dhuna e të gjitha formave është një akt burracakësh që cenon bërthamën e familjes.

Ndër të tjera ajo shprehet se kjo tragjedi, ‘kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor’.

Ministrja gjithashtu ka apeluar institucionet përkatëse, për hetimin deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjithashtu një apel ka patur dhe ndaj të qytetarëve, ‘le të bëhemi bashkë, për të shfarosur dhunën e për të mbështetur këdo që ka nevojë përmes forcës së jashtëzakonshme të solidaritetit njerëzor.’.

Reagimi:

“Thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku sipas dyshimeve paraprake, dhuna e përsëritur fizike dhe psikologjike ka shtyrë një nënë në një akt makabër vetflijimi.

Dhuna, në të gjjtha format e saj është një fenomen i papranueshëm. Është një akt burracakësh! Është një mënyrë që cënon bërthamën e familjes dhe ata që kanë më pak forcë të mbrohen, nënat dhe fëmijët!

Në të njëjtën kohë, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Depresioni, në të gjitha format në të cilat manifestohet dhe pavarësisht arsyeve që e shkaktojnë atë, është një barrë e rëndë për çdo individ të prekur dhe për vetë shoqërinë tonë.

Këto janë sfida që shoqëria jonë mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit. Vetëm duke i qëndruar pranë, të gjithë së bashku, viktimave të dhunës apo të gjithë atyre që kalojnë një moment të vështirë në jetë!

Sot, është dita në të cilën të gjithë së bashku, institucionet, media, universiteti, shkolla, familja, shoqëria, e të gjithë me radhë duhet të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë më shumë për të rritur numrin e denoncimeve apo mbështetjen për të gjithë ata që kanë nevojë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta të gjithë të dashurve të prekur nga kjo tragjedi.

Gjithashtu dua të lëshoj një apel drejtuar pikë së pari institucioneve përkatëse, për hetimin deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe së dyti, ndaj të gjithë qytetarëve, le të bëhemi bashkë, për të shfarosur dhunën e për të mbështetur këdo që ka nevojë përmes forcës së jashtëzakonshme të solidaritetit njerëzor.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re