Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca bëri të ditur se, shumë shpejt fermerët do të kenë portalin e tyre informativ, me këshilla dhe praktika mbi prodhimin bujqësor, çmimet e shitjes së produkteve dhe trendet më të fundit të zhvillimit nga ky sektor.

Krifca informoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), po punojnë për të finalizuar vënien në funksionim të portalit të fermerit.

Sipas saj, risitë digjitale dhe vënia në përdorim e tyre po lehtësojnë fermerin dhe po ndikojnë në rritjen e cilësisë në bujqësi.

Portali i fermerit, një platformë e re informative online, i vjen në ndihmë komunitetit rural, për t’u informuar mbi çdo hallkë që shoqëron prodhimin bujqësor e deri tek çmimet e shitjes së produkteve.

Hapësira e re virtuale vjen si një ‘dritare’ në mbështetje të fermerëve me këshilla bujqësore, transparencë dhe informacion mbi: çmimet ditore të shumicës së produkteve bujqësore; legjislacionin në bujqësi; aksesin në financë; prognozë dhe sinjalizimin për mbrojtjen e bimëve dhe sëmundjet e kafshëve; shërbime dhe analiza të tokës; rekomandime për zgjidhjen e problemeve sezonale të kulturave bujqësore; teknologjitë e prodhimit dhe rrjet ekspertësh dhe këshilluesish bujqësorë.

Ministrja Krifca u shpreh se “qëllimi kryesor i portalit është që ky informacion i shumëllojshëm t’i vijë në ndihmë fermerit për të marrë vendimin e duhur në aktivitetet ditore, për të ditur çmimet, praktikat më të mira të prodhimit, kushtet klimatike se si ndikojnë në prodhimin e tyre dhe masat që duhen marrë”.

Çdo kategori e portalit i drejtohet nevojave të fermerit duke i orientuar ata në zgjedhjen e duhur.

Portali i fermerit, është një politikë tjetër e MBZHR, që synon ta ndihmojë fermerin në vendimmarrje, ta fuqizojë atë në aftësinë e tij negociuese në raport me tregtarin, pikën e grumbullimit etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re