Kryetari I partise se Lirise Meta u beri thirrje mbeshtetesve te partise se tij te mbildhen ne 11 shkurt para kryeministrise; duke konfirmuar se protesta eshte e te gjithe opozites.

 

Gjate nje komunikimi me gazetaret,  meta theksoi se pas publikimit te detajeve per lidhjet me shefin e qeverise me ish zyrtarin e larte te FBI, Edi Rama nuk mund te jete me kryeminister I shqiptareve .

 

 

ILIR META

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

 

“Opozita do të jetë në këmbë kundër këtij armiku të lirive të tyre deri në largimin përfundimtar të këtij regjimi mafioz dhe të korruptuar në çdo qelizë.”

 

Ilir Meta mbeshteti cdo qendrim te aleatit te tij, kreut te PD Sali Berisha per ceshtjen McGonagal dhe perdorimin e ish-zyrtarit te larte te FBI nga qeveria.

 

I vetmi moment kur Meta nuk ndoqi aksionin politik te kryetarit te PD, Sali Berisha; ishte qendrimi ndaj amabasadores amerikane ne Tirane, per te cilen Meta nuk artikuloi asnje kritike.

 

 

DEKLARATA E PLOTE E ILIR METES

“Çdo shqiptar është njohur me dokumentet zyrtare të drejtësisë amerikane që provojnë angazhimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës në procesin mafioz të asgjësimit të demokracisë, pluralizmit politik dhe shtetit ligjor në Shqipëri nëpërmjet aferës shumë të rëndë korruptive shtetërore “McGonigal”.

 

SPAK duhet të kishte nisur me kohë hetimet shumë të thelluara për këtë skandal, që provon të gjitha akuzat konkrete të opozitës se Edi Rama e ka shndërruar institucionin e Kryeministrit në një çerdhe korrupsioni, nepotizmi, manipulimi dhe trafikimi mafioz të influencave.

 

Për zbardhjen deri në fund të këtij skandali, në dritën e provave të pakundërshtueshme të zbuluara nga drejtësia amerikane por edhe fakteve të reja të publikuara në media për angazhimin edhe të ministrave, deputetëve, oligarkëve dhe zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë shqiptare në aferën “McGonigal”, SPAK duhet të vendoste një komunikim intensiv, serioz dhe shumë të ngushtë me institucionet e drejtësisë amerikane.

 

Mosveprimi i SPAK për nisjen zyrtare të hetimeve për këtë skandal shkon në të kundërt me interesat dhe sigurinë kombëtare por edhe me pritshmëritë e larta të shqiptarëve sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe pandëshkueshmërisë.

 

Është kjo arsyeja pse Shqipëria, sipas “Transparency International” nuk ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, duke shënuar një rritje vjetore krejtësisht të papërfillshme me vetëm me 1 pikë për të qëndruar në të njëjtën nivel me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

 

E bashkëndaj të njëjtin qëndrim me Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, Lidija Prokiç e cila theksoi se ndryshimi prej një pike nuk është statistikisht i konsiderueshëm dhe konsiderohet si shenjë mospërparimi.

 

Me shumë të drejtë zyrtarja e lartë e “Transparency International” theksoi se “Shqipëria ka ngecur në vend në luftën ndaj korrupsionit duke mos bërë punë të mjaftueshme për garantimin e parimeve bazë të demokracisë mbi ndarjen e pushteteve, pasi autoritetet qeveritare kanë ende ndikim mbizotërues në veprimtarinë e institucioneve të pavarura”.

 

Sepse sipas saj “për sa kohë qeveritë do të fokusohen te interesat e partisë së tyre, te grupet me interesa ekonomike pranë pushtetarëve dhe interesi publik nuk do të jetë përparësi mbizotëruese, atëhere nuk mund të presim më shumë përparim domethënës”.

 

Gjithashtu një tjetër raport serioz i publikuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes” për perceptimin publik ndaj drejtësisë dhe korrupsionit bëri të njohur faktin se gjendja e korrupsionit ka mbetur e njëjtë në 12 muajt e fundit, ndërsa mbi 25 për qind anketuarve u shprehën se gjendja është përkeqësuar dhe se tani ka më shumë korrupsion se më parë.

 

Përgjegjësi kryesor për renditjen e Shqipërisë të parën në kontinent për korrupsionin dhe të dytën në botë për ryshfetin është Edi Rama.

 

Sot është jetike dhe vendimtare largimi i tij, si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, i shtetit ligjor dhe demokracisë në vend.

 

Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin, duke korruptuar deri edhe një ish-zyrtar të lartë të FBI dhe kompromentuar rëndë marrëdhëniet me SHBA, që për të kanë qenë gjithmonë marrëdhënie aferash dhe jo vlerash.

 

Ndaj i ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohen në 11 shkurt, në ora 12:00 në një protestë kombëtare kundër këtij regjimi që sillet ndaj shqiptarëve në mënyrën më ç’njerëzore duke i vjedhur ata në mënyrë të pamëshirë dhe duke i përzënë nga vendi i tyre përmes një axhende antikombëtare shpopullimi.

 

Opozita do të jetë në këmbë kundër këtij armiku të lirive të tyre deri në largimin përfundimtar të këtij regjimi mafioz dhe të korruptuar në çdo qelizë.“- tha Meta në deklaratën e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re