Skip to content

“Më 14 maj, voto…”/ Mesazhet për qytetarët nga partitë politike, reagon Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Shkelje e të dhënave personale, po hetojmë!





Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar në lidhje me dërgimin e mesazheve zgjedhore nga forcat politike, lidhur me zgjedhjet e 14 majit.

Në një deklaratë për mediat, KDIMDP bëhet thirrje që të ndalohet menjëherë çdo përpunim i paligjshëm i të dhënave personale, pasi kjo është në kundërshtim me ligjin.

Sakaq shton se zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast shkelje të ligjit nga subjektet zgjedhore dhe operatorët telefonikë.

Njoftimi i plotë:

Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së lëvizshme. Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale.

Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik.

Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

“”