Sandër Lleshaj ka shpalosur një ide mjaft të kritikueshme nga opinion publik në lidhje me minoritetet ku thotë se një grup prej 300 personash mund të aplikojnë për t’u njohur si pakicë kombëtare në Shqipëri.

Projektvendim që pritet të hapë shumë debat në opinionin publik që parashikon se mjafton një grup prej 300 personash që mund të aplikojnë, për ta bërë fakt të kryer diçka të tillë.

“Njohja formale e një pakice kombëtare, e ndryshme nga ajo e përcaktuar në këtë ligj, bëhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës pranë Ministrit të Brendshëm nga grupi i shtetasve i përbërë nga jo më pak se 300 persona, që pretendojnë se i përkasin një pakice kombëtare dhe shqyrtohet nga Komisioni ad-hoc që ngrihet për këtë qëllim”, thuhet në relacionin shpjegues të këtij drafti.

Por historianët janë ngritur kundër këtij propozimi, madje Instituti i Historisë e ka kundërshtuar zyrtarisht atë. Nga ana tjetër Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi duket se ka disa kërkesa përsa i përket kësaj nisme.

Robert Gajda i cili ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Wake Up”, tha se çuditërisht, institucioni që ai drejton nuk është pyetur për këtë projektligj.

“Nuk jemi pyetur. Ne në përgjithësi kemi një marrëdhënie shumë të mirë me institucionet për të dhënë mendime për drafte ligjore, apo akte nënligjore etj, për minoritetet ndërkohë që në rastin konkret nuk e kemi pasur një bashkëpunim të tillë. Unë jam vënë në dijeni për këtë projekt nga mediat dhe nuk jam shumë i qartë nëse kjo nismë është ligjore apo akt nënligjor.

E kemi evidentuar disa herë që në lidhje me aktet nënligjore për zbatimin e ligjit për pakicat kombëtare nuk kemi pasur një komunikim me Ministrinë e Brendshme nuk na ka kërkuar asnjëherë mendim ç’ka është e çuditshme në praktikën normale”, sqaroi pozicionim i tij mbi këtë nismë Robert Gajda Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

I pyetur për çfarë ka hapur debat, që është pikërisht përcaktimi se mjaftojnë 300 veta për t’u njohur si pakicë kombëtare, Gajda u shpreh: “Nëse bëhet fjalë vetëm për kërkesë njohjeje, numri nuk përbën problem.

Ajo që duhet të përbëjë problem janë kriteret që duhen vlerësuar për të qenë pakicë linguistike apo kombëtare. Unë shoh vështirësi aktualisht, për të njohur pakica të reja kombëtare sepse, ne e kemi një ligj që i ka njohur me listë të mbyllur 9 pakicat kombëtare, që do të thotë se nëse do të duhet të shtojmë pakica të reja kombëtare, duhet ndryshuar së pari ky ligj.

Ne nuk kemi një ligj të përgjithshëm por kemi një ligj që përcakton specifikisht, 9 pakica kombëtare. Dhe për atë ligj është marrë shumë kohë janë bërë shumë debate, konsultime dhe diskutime.

Dhe nëse do të futet një pakice e re kombëtare patjetër që do të ketë një debat shumë të madh.

Kur është miratuar ky ligj për pakicat kombëtare nuk erdhi nga hiçi, por ka pasur studime paraprake për të arritur deri aty, dhe nuk është shumë normale dhe as serioze që një shtet çdo 2-3 vjet shton apo heq pakicat kombëtare”.