Në kuadër të operacionit “Shtegtimi” pas 4 biznesmenëve të arrestuar pak ditë më parë, sot është prangosur edhe një 18-vjeçar me inicialet O. Gj., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Adoleshenti, sipas policisë në bashkëpunim me biznesmenët e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Tre ditë më parë u arrestuan 34-vjeçari Ergys Vejseli, 44-vjeçarja Gentiana Konini, 32-vjeçarja Klotida Çela dhe 37-vjeçari Petrit Cara, të katërt banues në Tiranë, me aktivitet tregtar agjenci udhëtimi.

Policia thotë se vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re