Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është i paqartë për aksionin opozitar dhe për këtë duket se ka ndikuar takimi i fundit me Ilir Metës.

Ai u shpreh se në vijim të aksionit opozitar do të ketë sërish protesta, por edhe shpalosje të alternativës dhe programit.

“Ne do të vazhdojmë me një ndërthurje të aksionit opozitar, me vazhdimin e qëndresës, denoncimit, protestave dhe shpalosjen e alternativës sonë, planit tonë për të ndryshuar vendin duke filluar me ndryshimin ekonomik që të jetë i prekshëm për të gjithë. Ndryshimi do të vijë kur të kemi një qeveri për njerëzit dhe jo për oligarkinë” tha ai, por pa përmendur si kusht kryesor, largimin e Edi Ramës si kryeministër.

Ndërkohë që sërish nuk janë në sinkron me aleaten kryesore në opozitë, Monika Kryemadhin, e cila nga Durrësi deklaroi se për LSI-në nuk ka pushime në verë, por fushatë për zgjedhjet e 13 tetorit.

Kryemadhi u ka thënë strukturave të saj se muajt korrik dhe gusht nuk do të jenë pushim, por punë për të përgatitur zgjedhjet që mbahen në 13 tetor, sipas dekretit të burrit presidentit.

“Falënderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI që bojkotuan votimet moniste të 30 qershorit, pavarësisht presionit kriminal dhe trysnisë së pushtetit me bukën e gojës dhe vendin e punës. 

Strukturat e LSI janë të angazhuara plotësisht në të gjithë vendin.

Muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhje. 

Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re