Policia ka mundur të parandalojë një ngjarje të rëndë kriminale, duke vënë në pranga, Aldi Mustafa, në qytetin e Durrësit. 37-vjeçari përshkruhet si person me rrezikshmëri të lartë nga blutë, ndërsa raportohet se atij iu gjet një armë zjarri me silenciator, teksa besohet se ishte nisur për të vrarë një person. Fillimisht ai ka tentuar të largohet sapo ka pikasur policinë, por këta të fundit kanë mundur ta neutralizojnë në kohë,

 

37-vjeçari rezulton me precedent të theksuar kriminal, pasi është dënuar më herët  brenda dhe jashtë vendit, për armë, drogë, kanosje dhe tentativë vrasjeje.

 

Mësohet se Mustafa është shok i Aleksandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoja.

 

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili vlerëson punën e bluve të Durrësit.

 

“Falenderoj nga zemra forcat e Policisë së Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Njësinë e saj Operacionale Shqiponjat   të cilët arritën të parandalonin një ngjarje të rëndë kriminale, duke arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë të armatosur”, shkruan ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re