Ditën e sotme, Drejtoria Rajonale e AMP-së në Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, me detyrë inspektor.

Shtetasi Dashamir Kurti, 44 vjeç, rreth orës 10:20 të ditës së sotme, ka pasur një konflikt fizik me klientët dhe pronarët e një lokali në Tiranë. Kjo ka bërë që efektivi të nxjerrë armën e shërbimit dhe të kërcënojë të pranishmit.

Njoftimi i Plotë:

Sot, ora 17:30, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë arrestoi në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, Inspektor D. K., 44 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kanosja”.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se rreth orës 12:10, punonjësi i Gardës së Republikës, D. K., është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me klientët dhe pronarin e një lokali në rrugën “Elez Isufi” në Tiranë, të cilët i ka kanosur me armën e shërbimit, në shpërdorim të detyrës.

Nga hetimet paraprake rezulton se D.K., duke qenë jashtë shërbimit, ka konsumuar pije alkolike në ambientet e lokalit dhe më pas është konfliktuar me klientët dhe pronarin e lokalit, të cilët kanë arritur t’i heqin armën nga dora duke e neutralizuar.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Gardës së Republikës, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re