Skip to content

Me bexhën e gazetarit në gjoks, efektivët e “Shqiponjave” e spërkasin me spraj piperi në fytyrë / Gazetari i “Vetting”, Armand Kullau përfundon në QSUT

d447e0ba 681c 491f ae33 7f2e7e749978 scaled

Efektivë të repartit “Shqiponja” kanë spërkatur me spraj piperi në fytyrë gazetarin e emisionit investigativ “Vetting”, Armand Kullau, ndërsa ai po filmonte ndalimin e dy të rinjve nga Policia e Shtetit. Ngjarja ka ndodhur sot, më 24 tetor 2026, rreth orës 20:05, pranë zonës së njohur si “Vasil Shanto” në Tiranë. I gjithë incidenti është dokumentuar me pamje filmike që disponohen nga redaksia e emisionit.

Kullau mbante të vendosur në mënyrë të dukshme bexhën identifikuese të gazetarit. Megjithatë, efektivët nuk morën parasysh as bexhën dhe as prezantimin e tij. “Jam gazetar, po bëj detyrën time dhe nuk po pengoj as punën tuaj si efektivë policie, por po veproj konform ligjit”, u është drejtuar Kullau punonjësve të policisë. Pavarësisht identifikimit dhe sqarimit se po dokumentonte një veprim policor, punonjësit e repartit “Shqiponja” e kanë spërkatur me spraj piperi në drejtim të fytyrës dhe kokës. Si pasojë, gazetari ka pësuar irritim të fortë të syve dhe të lëkurës, nga koka deri në qafë, si dhe probleme serioze me shikimin. Për një kohë pas incidentit, Kullau nuk ka qenë në gjendje të shihte. Nuk kanë qenë efektivët që përdorën sprajin ata që i dhanë ndihmë. Kanë qenë qytetarë dhe kalimtarë të rastësishëm që iu afruan gazetarit, ndërsa gjendja e tij po përkeqësohej, dhe pikërisht ata njoftuan shërbimin e urgjencës. Ambulanca e ka transportuar Kullaun drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në QSUT, gazetari fillimisht është trajtuar në Shërbimin e Urgjencës, në Shërbimin e Otorinolaringologjisë, dhe më pas është dërguar në repartin e djegieve për një kontroll të dytë. Mjekët kanë ndërhyrë për irritimin e syve dhe dëmtimet e lëkurës. Pas trajtimit, Kullaut i është caktuar terapi mjekësore që duhet ta ndjekë në banesë. Drejtori i emisionit “Vetting”, Ardian Bushi, ka qenë personalisht i pranishëm në spital nga momentet e para të trajtimit deri në përfundimin e tij.
Gjatë kohës që gazetari po merrte mjekim, në spital kanë mbërritur katër punonjës të Policisë së Rendit. Sipas deklarimeve të tyre, edhe një prej efektivëve kishte pësuar dëmtime nga gazi irritues. Kjo rrethanë nuk e zbut ngjarjen, por e rëndon. Ajo ngre pyetjen se si është përdorur spraji, nga kush, në çfarë distance dhe me çfarë urdhri, kur pasojat i kanë pësuar edhe vetë punonjësit e policisë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 22, garanton lirinë e shtypit, ndërsa neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbron të drejtën e gazetarit për të mbledhur dhe përcjellë informacion me interes publik. Ligji “Për Policinë e Shtetit” e lidh përdorimin e forcës me domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin. Natyrshëm lind pyetja: ku qëndron domosdoshmëria e spërkatjes në fytyrë të një gazetari të identifikuar, që nuk pengonte askënd dhe filmonte në hapësirë publike?

Pamjet filmike, dëshmia e gazetarit dhe dokumentacioni mjekësor përbëjnë prova të rëndësishme për verifikimin e plotë të incidentit.
Nga Policia e Shtetit kërkohet të sqarojë përse është përdorur spraj piperi ndaj një gazetari të identifikuar, nëse ky veprim ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional dhe nëse janë ndërmarrë hapa për të verifikuar përgjegjësinë e efektivëve të përfshirë.

Drejtori i emisionit Vetting, Ardian Bushi: Spraji i piperit mund të pengojë përkohësisht shikimin e një gazetari, por nuk mund të verbojë të vërtetën!”

Sulmi ndaj gazetarit Armand Kullau, pjesë e stafit të emisionit investigativ “Vetting”, sot në mbrëmje, pranë zonës “Vasil Shanto” në Tiranë, është një ngjarje që nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në heshtje.
Sjellja e papranueshme dhe joprofesionale e punonjësve të policisë, e dokumentuar në pamjet filmike që disponojmë, përbën një shqetësim serioz për lirinë e medias dhe ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Kam qenë personalisht pranë kolegut tonë në spital, deri në përfundimin e trajtimit. Ajo që ndodhi nuk është incident i zakonshëm. Kërkon verifikim të plotë dhe përgjegjësi institucionale. Dua t’u bëj të qartë të gjithë atyre që mendojnë se me presione, kërcënime apo përdorimin e forcës mund të pengojnë punën tonë, se as na kanë trembur dhe as do të na trembin.
Prej afro tre vitesh, emisioni investigativ “Vetting” ka vijuar të denoncojë publikisht tendera të dyshuar si korruptivë, shpërdorimin e fondeve publike, abuzimet me detyrën dhe shkeljet e ligjit nga zyrtarë të administratës shtetërore.

Investigimet tona kanë përfshirë zyrtarë të niveleve të ndryshme, nga drejtues institucionesh, punonjës dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit dhe drejtorë, deri te funksionarët më të lartë të qeverisë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren dhe kryeministrin. Ne nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë dallime për shkak të funksionit, pushtetit politik apo pozitës që mban një zyrtar. Askush nuk është mbi ligjin. As zyrtari më i lartë i shtetit dhe as punonjësi i policisë që mban uniformën e tij.

Uniforma e Policisë së Shtetit duhet të jetë simbol i mbrojtjes së qytetarëve dhe i respektimit të ligjit, jo instrument presioni ndaj gazetarëve që dokumentojnë realitetin.

Ne nuk paragjykojmë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për veprimet e disa individëve. Por kërkojmë që çdo punonjës që ka shkelur ligjin të mbajë përgjegjësi, pavarësisht funksionit apo gradës.

Kërkojmë që ngjarja të hetohet me paanshmëri, të administrohen pamjet filmike dhe dokumentacioni mjekësor, të verifikohen veprimet e efektivëve të përfshirë dhe, nëse konstatohen shkelje, përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.

I kërkojmë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm një sqarim publik për këtë ngjarje. Heshtja e tyre do të jetë përgjigje në vetvete. Emisioni investigativ “Vetting” nuk do të heshtë, nuk do të tërhiqet dhe nuk do të heqë dorë nga misioni i tij.

Do të vijojmë të dokumentojmë, të hetojmë dhe të publikojmë çdo fakt me interes publik, duke denoncuar abuzimet dhe shkeljet e ligjit, pavarësisht se cilit institucion apo individ i përkasin. Sepse gazetaria investigative nuk është privilegj që na e jep pushteti. Është një e drejtë dhe një përgjegjësi ndaj qytetarëve. Mund të tentoni të pengoni një kamerë, por nuk mund të ndaloni të vërtetën!

Ardian Bushi
Drejtor i emisionit investigativ “Vetting”