Skip to content

Me çfarë po sfidohet Lulzim Basha?

Nga Ergi Picaku

Fushata për kryetar në partinë Demokratike ka nisur zyrtarisht dhe kandidatët që janë përballë kreut aktual Lulzim Basha kanë paraqitur platformat e tyre për drejtimin e selisë blu. Si për t’i treguar Bashës së duhet të largohet, emëruesi i përbashkëti të tre kandidatëve është kufizimi i mandatit të kryetarit që duhet të japë dorëheqjen nëse nuk udhëheq partinë drejt suksesit në zgjedhjet parlamentare.

“Duhet të vëmë pikat mbi “i” për sa i përket meritokracisë brenda në parti, qarkullimit të elitave partia demokratike ka nevoje për një statut të ri. Kryetari i partisë nuk duhet të rikonfirmohet më në detyrë, duhet të japë dorëheqjen mbas një humbje në zgjedhjet e përgjithshme”, shprehet Edith Harxhi.

“Ndarja e rolit të kryetarit nga administrator i partisë. Kryetari është udhëheqësi politik i partisë për 4 vjet. Mandati i kryetarit mbaron kur shpallet rezultati i zgjedhjeve dhe ai ose është kryeministër ose ikën. Kryetarët lëvizin partia mbetet”, thotë Fatbardh Kadilli.

“Kryetari që humbet zgjedhjet i mbaron mandati dhe nuk ka të drejtë rizgjedhjeje. Nuk është hera e parë që një opsion i tillë paraqitet”, shprehet Agron Shehaj.

Kritikët e Lulzim Bashës e propozuan edhe në vitin 2017, por pa gjetur mbështetje. Katër vite më pas, Lulzim Basha nuk ka vetëm një kandidat rival përballë, por tre të tillë. I pari që doli publikisht me një program për drejtimin e PD-së, ishte Fatbardh Kadilli, i cili foli për një parti të hapur që të pranojë brenda vetës fraksione që përfaqësojnë mendime të ndryshme.

Ndërsa Edith Harxhi mendon se PD ka humbur identitetin e saj e për këtë arsye sheh si të vetëm zgjidhje një ristrukturim të thellë të partisë.  Agron Shehaj, është i vetmi mes 3 sfidantëve që vjen nga grupi parlamentar dhe është një nga njerëzit e afruar në parti nga vetë Basha. Ai mendon se duke i dhënë më shumë peshë në vendimmarrje anëtarëve të thjeshtë do të forcojë akoma më shumë partinë.

Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, reflektimin dhe ndryshimin e Partisë Demokratike e lidhin edhe me qeverisjen e ardhshme të vendit. Platforma e tyre në disa pika i ngjan edhe një programi qeverisës që u drejtohet jo vetëm anëtarëve të Partisë Demokratike.

Për analistët, fakti që në garë për kreun e PD janë katër kandidatë nuk tregon për hapje të partisë por të kundërtën. Edlira Gjoni e sheh si tregues të fraksioneve brenda saj që më shumë se sa e bashkojnë e përçajnë PD. Pavarësisht këtyre platformave e programeve, Afrim Krasniqi mbetet skeptik. Sipas tij  PD po tregon që nuk ka ndërmend të shkëputet nga e shkuara.

Për herë të parë për zgjedhjen brenda partisë demokratike foli Sali Berisha. Lideri historik i demokratëve shprehu habi për afrimin e procesit pasi sipas tij zgjedhjet duhet të ishin paraprirë nga një analizë e thellë, duke dhënë si rrallë herë një sinjal që nuk shkon në sinkron me lëvizjet e Lulzim Bashës.

“Jam i habitur nga votimi unanim i Këshillit Kombëtar për datën e zgjedhjeve, detyra me kryesor është faktimi i batërdisë elektorale para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar dhe e dyta një analizë serioze e të gjithë veprimtarisë së Partisë”, tha Sali Berisha.

I pyetur nga Alfred Lela, në “PolitikON”, nëse Basha duhej të kishte dhënë dorëheqjen, Berisha edhe pse e quan si një akt individual, sërish dërgon një sinjal që nuk puqet me qëndrimet e Bashës. “Kjo është një çështje individi por kjo pyetje nuk mund t’i bëhet një njeriu që tashme e ka dhënë dorëheqjen, unë kam pasur këtë vendim”.

Lulzim Basha, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike, nuk ka paraqitur një platformë apo program, duke synuar te vazhdimësia e çfarë ka nisur prej vitesh. Por ishte pikërisht lideri historik i demokratëve që shpjegoi se ka diçka akoma më të rëndësishme se premtimet e garuesve. “Miqësisht iu bëj thirrje demokratëve, bëni gjithçka për dinjitetin e kësaj gare sepse është në interesin tuaj dhe duhet të dalim nga kjo garë faqebardhë”.(A2)