Pensionistët në Thumanë kanë dalë në rrugica, me shpresën se dikush do ju sjellë ndihma ushqimore. Ata thonë se disa ushqime janë shpërndarë natën, vetëm tek disa prej banorëve të lagjes.

Pensionistët e Thumanës po vuajnë dyfish, të goditur nga tërmeti dhe nga virusi. Ata i thanë “ABC News” se nuk ju ka çuar njeri ushqime në shtëpi, dhe akuzojnë se ndihmat janë ndarë me njohje. Bashkia e Krujës ka reaguar duke thënë se ndihma vazhdon dhe fillimisht janë ndihmuar ata që janë më në nevojë.

“Ndihma ka sjellë Kisha dhe askush tjetër. Nuk kemi parë ndihma nga askush tjetër”, shprehet një e moshuar.

“Nuk kam marrë as ushqime dhe asnjë lloj ndihme nga komuna e Thumanës. Me dridhen duart dhe nuk gatuaj dot.”, thotë një tjetër e moshuar.

Akuzave për dhënie ndihmash përmes njohjeve dhe jo një lloj për të gjithë, ju bashkohet dhe këta dy pensionistë.

“Jetoj me bagëti, jemi dy pleq dhe nuk kam gatuar asgjë. Nëse të gënjej më vraftë Zoti”, thonë dy pensionistët.

“Edi Rama ka thënë se ndihmat duhet dërguar në shtëpi, ai nuk e di a dërgojnë apo jo ndihma këtu. Ata të bashkisë ndihmat i ndajnë sipas qejfit të tyre”, thotë një i moshuar.

Bashkia e Krujës, e pyetur për këtë çështje nga “ABC News”, tha se “fillimisht janë mbështetur familjet në ndihmë ekonomike, aftësi të kufizuara, pensionistët e vetmuar dhe pa përkrahje, familjet që jetojnë në çadra! Këto janë kategoritë e para përfituese nga paketa e ndihmave!

Duhet të theksojme se mbështetja e familjeve në nevoje vijon akoma, është një proçes pune i përditshëm dhe do vijojë tek familjet që realisht janë në nevoje!”

Bashkia Krujë raporton se deri më tani, janë shpërndare 900 pako ushqimore.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re