“Më erdhën në shtëpi me shkopa bejsbolli e na kërcënuan”, pas denoncimit, Policia e Beratit nis procedimin penal ndaj dy personave. Zbardhen dëshmitë: I kërkuam falje, por…

policia-berat.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Pas denoncimit të bërë dje në media nga një 34-vjeçar, që deklaroi se ishte dhunuar dhe kërcënuar me jetë nga disa persona në banesën e tij, ka reaguar zyrtarisht sot Drejtoria Vendore e Policisë Berat. Sipas policisë, ka nisur procedimi penal për agresorët Luan Malasin dhe Iljaz Ismailin, ky i fundit pronar i “Kështjellës” në Poshnjë.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, policia e Beratit deklaron se pas denoncimit të bërë nga Arbër Liço, janë identifikuar si autorë të agresionit ndaj tij Luan Malasi, 61 vjeç dhe Iljaz Ismaili, 33 vjeç, që rezulton të jetë nipi i dhëndrit të Malasit.

Iljaz Ismaili është një person me precedentë të mëparshëm penal, brenda dhe jashtë vendit. Në 21 Maj 2021, 33-vjeçarit iu bë një atentat me armë dhe ngeli i plagosur rëndë.

“BalkanWeb” ka mundur të zbulojë detaje në lidhje me deklaratat e dhëna në polici nga agresorët e Liços. Mësohet se Malasi dhe Ismaili kanë deklaruar se konflikti mes tyre dhe Liços ka filluar për shkak të një parkimi në vijat e bardha në hyrje të qytetit të qytetit të Kuçovës. Iljaz Ismaili ka deklaruar në polici se pasi janë sharë me fjalë, ata janë konfliktuar me duar me njëri-tjetrin dhe se Arbër Liço ka qëlluar me grusht 61-vjeçarin Luan Malasi dhe më pas është larguar me makinë drejt banesës së tij.

Sipas Ismailit, ata kanë shkuar në banesën e Liços për t’u sqaruar dhe jo për t’u konfliktuar. Edhe Luan Malasi ka deklaruar në polici se pasi kanë shkuar në banesën e Liços, ky i fundit i ka sharë dhe kërcënuar dhe në këto rrethana ata janë përleshur me sende të forta me njëri-tjetrin. Luan Malasi dhe Iljaz Ismaili kanë deklaruar se ata nuk kanë pasur asnjë njohje apo konflikt të mëparshëm me Liçon dhe se gjithçka mes tyre ka filluar për shkak të një konflikti të çastit, por që më pas ata pretendojnë se nëpërmjet një telefonate i kanë kërkuar falje. Malasi dhe Ismaili kanë deklaruar se gjithçka që ndodhi është inskenuar më pas nga Liço, që i ka denoncuar në polici me qëllim për të pasur lehtësira në ndonjë shtet të Bashkimit Europian për të kërkuar azil, me pretendimin se ai dhe familja e tij ndihet e kërcënuar.

34-vjeçari Arbër Liço denoncoi dje me emra në media disa persona, që sipas tij i kishin shkuar në banesë me shkopa bejsbolli dhe e kishin rrahur, por edhe kërcënuar me jetë atë dhe familjen e tij. Liço ka kërkuar kapjen e agresorëve dhe mbrojtjen e policisë për familjen e tij, që sipas tij kishte frikë të dilte nga banesa.

Balkanweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë