Skip to content

“Me fat që kanë atë kryetar opozite”, Basha, socialistëve: PS, në katrastrofë elektorale

Kryetari i opozitës Lulzim Basha në një intervistë në televizionin “ABC NEWS dhe u pyet  për komentin e socialistëve, se janë me fat që kanë atë kryetar opozite. Në sondazhet e publikuara është parë që kryeministri Rama ka pasur rezultate të larta, ndërsa lideri i opozitës nuk ka qenë në pritshmëritë e duhura.

Por, për Bashën qeveria mbetet ilegjitime. Në asnjë moment për liderin e opozitës shteti nuk ka qenë në krah të shqiptarëve dhe mbrojtjes së jetës apo shëndetit të tyre.

E vetmja rrugë e përdorur nga kjo qeveri sipas tij është vjedhja dhe manifestimi i gjobave. Basha u shpreh se nëse do të bëheshin zgjedhjet nesër kryeministri do të pësonte një disfatë elektorale.

“Kjo qeveri prej kohësh ka humbur legjitimitetin, sepse ka ardhur nga një proces i manipuluar zgjedhor Nesër, nëse do të kishte zgjedhje, do të kishte disfatën më të thellë që ka pësuar ndonjë parti politike në 30 vite në Shqipëri. E gjithë strategjia e Edi Ramës në këto vite është bazuar në shiblerjen e votës dhe nuk ka gjë më mirë që e tregon këtë sesa tërheqja me turp nga padia që bënë me tam-tame ndaj gazetës Bild, e cila ekspozoi se si ka ardhur në pushtet Edi Rama. Gjithë shqiptarët kanë dëgjuar kriminelë duke folur me politikanët për blerje të votës. Nuk ka asnjë shans. Në qoftë se zgjedhjet bëhen nesër apo të dielën e ardhshme është e qartë se Partia Socialiste do të ketë një katastrofë elektorale të paprecedentë në 30 vite dhe të merituar do të thoja, për shkak të Edi Ramës, për shkak të mosmbajtjes së premtimeve, për shkak të kaosit dhe kolapsit ekonomik ku e ka futur vendin, edhe para pandemisë, për shkak të keqmenaxhimit të gjithçkaje, edhe të tërmetit. Por kjo nuk është tema sot. Një qeveri ka për detyrë t’i vijë në ndihmë njerëzve, detyrë në të cilën kjo qeveri ka dështuar në mënyrën më spektakolare, por këtë dështim e paguajnë qytetarët”, tha Basha.