Personi që shihni në foto është efektivi i policisë Hajredin Boja, i cili mbeti i lënduar pasi flakët përfshinë Komisariatin e Kamzës mbrëmjen e të shtunës.

Përveç efektivit të policisë u lënduan edhe dy të paraburgosur, një prej të cilëve humbi jetën rrugës për në spital.

Arben Mici 26 vjeç humbi jetën ndërsa ishte arrestuar për dhunë në familje ndaj nënës së tij.

Ndërsa Dilaver Idrizi 62 vjeç është personi i cili pak ditë më parë hodhi bashkëjetuesen nga ballkoni.

Shkaqet dhe rrethanat e zjarrit në Komisariatin e Kamzës janë ende të paqarta ndërsa kanë nisur hetimet. Paraprakisht dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht nga një prej të ndaluare.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe avokati i popullit, në një deklaratë për mediat. Në deklaratën e AP thuhet se duhen marra masa të menjëhershme dhe energjike për përmirësimin e kushteve pranë njësive policore në përputhje me angazhimet e shtetit shqiptar pranë organizmave ndërkombetarë si dhe në zbatim të akteve ligjore kombëtare e ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë:

AVOKATI I POPULLIT SHPREH PIKËLLIMIN PËR HUMBJEN E JETËS NGA ZJARRI TË NJË TË NDALUARI DHE BËN THIRRJE PËR PËRMIRËSIM TË KUSHTEVE TË PARABURGIMIT

Nga informacionet e marra, mësohet se si pasojë e një zjarri me origjinë të paqartë në Komisariatin nr.5 në Tiranë, kanë pësuar dëmtime shtetasit e ndaluar A. M., D. I., si dhe punonjësi i policisë H. B.

Sikurse është bërë e ditur nga njoftimet zyrtare, shtetasi A. M., i cili ishte person i ndaluar në mjediset e këtij komisariati, ka ndërruar jetë në spital.

Avokati i Popullit u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe shërim të shpejtë shtetasve të dëmtuar.

Nisur nga kjo ngjarje Avokati i Popullit, për herë të disatë sjell në vëmendje të autoriteteve nevojën e marrjes së masave të menjëhershme dhe energjike për përmirësimin e kushteve pranë njësive policore në përputhje me angazhimet e shtetit shqiptar pranë organizmave ndërkombetarë si dhe në zbatim të akteve ligjore kombëtare e ndërkombëtare.

Në rekomandimin më tē fundit të Avokatit të Popullit për Komisariatin nr. 5 të Policisë së Tiranës, i dërguar në qershor 2021, i është mëshuar pikërisht nevojës për plotësimin e kushteve normale në këto ambiente, për parandalimin e ngjarjeve analoge me këtë të mbrëmjes së sotme, e cila fatkeqësisht në këtë rast rezultoi fatale.

Më specifikisht Avokati i Popullit ka rekomanduar masa mbi ndërtimin e ambienteve të sigurisë, mjediseve të veçanta për të miturit, pajisjen me orendi bazë, pajisjen me sistem ngrohjeje për stinën e ftohtë, pajisjen me sistemin e sinjalizimit me zile për raste emergjente, pajisjen me sistemin e monitorimit me kamera, si dhe kushte të tjera. Rekomandimi i plotë gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit nënvizon që rekomandimet e përpiluara prej tij drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar, nuk kanë qëllim tjetër përveçse përputhjen e standardeve faktike me angazhimet e marra nga shteti shqiptar në raport me grarantimin e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu ato të qytetarëve që vuajnë dënime në institucione penitenciare apo janë të ndaluar në njësi policore.

Momentet e ‘ferrit’ brenda komisariatit të Kamzës, prokuroria nis hetimet/ Si është gjendja e të lënduarve (Ja pse ishte arrestuar viktima)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re