Një simpatizant i Sali Berishës ka realizuar ëndrrën e tij gjatë “Foltores” së ish-kryeministrit në Kukës. Qytetari kërkoi të bëntë nje foto me liderin historik të PD, që të mos vdesë pa patur një të tillë.
Edhe pse shkaktoi humor dhe të qeshura, Berisha ja plotësoi ëndrrën dhe e priti për një foto.
“Përshëndetje Doktor Berisha, falenderimet më të përzemërta. Qendra ime ka qenë gjithmonë blu, qendër e vogël me fuqi të madhe. Jam kryetar i seksionit, i deleguar në Kuvend.
Te trau i Kukësit kur kam përmendur emrin tënd më kanë arrestuar, por votën në shtëpinë time s’kanë arritur kurrë ta marrin.
Më ka arrestuar i biri i Kristaq Ramës. 14 anëtarë të familjes time janë pro Partisë Demokratike, pro Berishës. Kam edhe një fjalë, edhe me vdek ta bëj një foto me ty. Edhe po vdiqa, dua të kem një foto me ty “, tha ai.
Ndërkohë një militant tjetër e shpalli Sali Berishën kryeministër, i cili sipas tij “do çlirojë edh Kosovën”, që në fakt është e pavarur si shtet.
“Doktor me ty jemi deri në vdekje. Gjithë Shqipëria, gjithë Kosova. Bravo doktor je lider, të ka fal Zoti lider. Tashmë je kryeministër.
Të shpallim kryeministër nga Kukësi sepse me Edvin Kristaq Ramën nuk ka përparësi.
Ti je ai që do e çosh Shqipërinë përpara dhe që do bashkosh trojet. Ti je ai që do çlirosh Kosovën”, tha ai.
