Një i ri ka rënë në prangat e policisë, pasi është kapur duke vjedhur banesën e një emigranti në Vaun e Dejës.

Policia njofton se ka arrestuar 21-vjeçarin A. M., i cili po tentonte të vidhte banesën e shtetasit M. L., 43 vjeç, i cili ndodhet jashtë shtetit.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës, Shkodër

Parandalohet vjedhja e një banese, arrestohet në flagrancë një shtetas, falë telefonatës nga qytetarët.

Nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, falë bashkëpunimit me qytetarët, u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 21 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Madhe, Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen Qafkurtinë, fshati Bushat, Vau i Dejës, u kap duke tentuar të vjedhë banesën e shtetasit M. L., 43 vjeç, i cili ndodhet jashtë shtetit.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një bluzë e zezë, e sajuar si kapuç që mbante në kokë, një palë doreza që mbante në duar dhe një levë hekuri që kishte përdorur për të hapur me thyerje derën e banesës.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë, si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në Qarkun e Shkodrës, në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re