Modeli dhe sipërmarrësi shqiptar, Rolando Lekaj, ishte i ftuar sot në emisionin “Wake Up” ndërsa ka folur për jetën e tij në Kinë. Lekaj jeton prej 8-vitesh në Hangzhou, Shanghai. Karriera e tij si model ka nisur në Shqipëri dhe më tej ka vijuar në Kinë.

Ai ka punuar prej vitesh në Pekin e më pas është njohur me bashkëshorten e tij Teresa e cila është sipërmarrëse e njohur në të gjithë botën, jo vetëm në Kinë. Rolando në emision ka folur për jetën e tij private si dhe për vendimin për t’i dhuruar Shqipërisë 300.000 maska mbrojtëse në periudhën e pandemisë së koronavirusit.

Ai u pyet se çfarë e shtyu të zgjidhte një bashkëshorte kineze? “Kina është i vetmi vend që na përshtatet me zakonet tona. Dhe këtu, ashtu si në Shqipëri nëse ta japin besën e mbajnë”, tha ai.

Kujtojmë se para një muaji ai së bashku me bashkëshorten e tij dhuruan për Shqipërinë 300.000 maska mbrojtëse, 100 mijë për spitalin Lezhë, Bashkinë dhe Drejtorinë e Policisë dhe 200 mijë për spitalin Nënë Tereza në Tiranë.

I pyetur lidhur me këtë ai u përgjigj: “Zemra dhe gjaku im i përkasin Shqipërisë. Maskat i sollëm jo sepse kanë munguar në Shqipëri, por si një nismë që rrodhi nga zemra ime dhe nga dashamirësia e nuses time. Ne dëshironim t’i vinim në ndihmë bluzave të bardha që po rrezikojnë me armikun. Fatmirësisht qeveria shqiptare i ka marrë masat në kohë, pasi mund të pësonim fatin e Italisë fqinje, Amerikës, Indisë etj. Në këtë situatë që po jetojmë nuk dimë si mund të zgjohemi nesër, ndaj mos e merrni si lojë por tregohuni sa më të kujdesshëm.”

Rolando Lekaj njihet për nismat humanitare por si duket ka edhe persona që tentojnë të përfitojnë prej kësaj: “Pas daljeve të mia televizive ndodh shpesh që më shkruajnë dhe më kërkojnë lekë borxh për të bërë pushime apo për të blerë shtëpi.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re