Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Gert Bogdani, në një intervistë të dhënë për emsionin “Pushteti” në FaxNews, foli mbi situatën politike në vend në këtë vigjilje të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Bogdani atakoi punën e bërë nga Bashkia Tiranë, duke u shprehur se ndërtimet pa kriter, mungesa e hapësirave publike, trafiku dhe mungesa e ujit të pijshëm e kanë bërë qytetin të pajetueshëm.

“Jemi vonë por jo shumë vonë, nuk jemi përtej pikës ë moskthimit. Tirana sot e ka humbur identitetin e vet, e kanë shkatërruar identitetin e Tiranës. Jo më larg se sot paradite isha me disa persona të shquar, intelektualë të Tiranës dhe po diskutonim për kullën e Sahatit, njëri prej tyre tha diçka shumë të mençur. Me këtë pallatin që i ka bërë Veliaj Sahatit të Tiranës më tha, nuk është më kulla e Sahatit të Tiranës por është bërë si orë muri.

Po të shikosh fotot e vjetra të Tiranës, gjeneza e qytetit është xhamia dhe Sahati dhe ato i ka zhdukur pasi i ka rrethuar me vinça pallatash. Çdo pikë, Teatri Kombëtar, maternitati i Tiranës dhe çdo vilë e vjetër është shkatërruar për tu bërë pallat.

Megjithatë unë mendoj se Tirana ka ende potencial për të ruajtuar. Zhvillim nuk është asgjë e keqe, por ke qytete që ruajnë traditën e tyre dhe zhvillohen diku tjetër.

Sot Tirana është bërë një qytet i pajetueshëm nga trafiku. Sot ke lagje të tëra ku nuk mund të ecësh me karrocën e fëmijëve pasi nuk ka trotuare. Mungesa e ujit është një tjetër problem, ku lagje të tëra u bënë tre katër ditë pa ujë. Kush është familje e re dhe ka fëmijë e vret 700 herë mendjen ku do t’i çojë fëmijët për të luajtur, ose marrin shokë dhe shoqe në telefon dhe thonë gjeta një kafe për të luajtur, pasi nuk ka hapësira publike. Gjithësesi ka ende shpresë”, tha Bogdani.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re