I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani komentoi situatën e krijuar me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Manjani tha se nga pikëpamja kushtetuese këtu nuk ka më asnjë konflikt, ndërsa shprehu keqardhje për veprimin e ndërrmarrë nga Arta Vorpsi për betimin e saj te noteri.

“Dy plane është mirë të sqarojmë, në kuptim ligjor dhe kushtetues, Gjykata Kushtetuese ka filluar të ringrihet nuk ka mbaruar. Gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë, as 4 e as 2, sipas kushtetutës dhe po sipas saj 3 i zgjedh Presidenti, 3 parlamenti e 3 Gjykata e Lartë, kjo e fundit nuk ekziston ende. Nga pikëpamje kushtetuese KED duhet të shqyrtojë kandidaturat. KED ka bërë një thes me emra, thes i cili i është vënë në dispozicion edhe Presidentit edhe Parlamentit për vakancat, që nuk duhet të ndodhte kështu. Normalja do ishte që për cdo vend vakant ka një konkurs dhe prodhohet një listë, por shpikja shqiptare do vazhdojë të funksionojë.

Megjithatë radha për tu ndjekur është e shkruar në kushtetutë dhe kështu ka ndodhur. Presidenti emëroi Besnik Muci, dhe radha i takon Kuvendit, Kuvendi s’po reagonte dhe pak me hile emëroi dy njëherësh. Normalja ishte që i vjen radha Presidentit dhe presidenti nxori dekretin e dytë, fundi i historisë është u emëruar 4 gjyqtarë, aktualisht kemi 6 anëtarë, këta 3 të rinjtë vajtën te Presidenti, filluan detyrën nga pikëpamja kushtetuese këtu nuk ka më asnjë konflikt.” -tha Manjani ndërsa komentoi edhe sjelljen e znj. Vorpsi, për të cilën tha se ndjen keqardhje.

“Më vjen keq për znj. Vorpsi sepse ajo ka gjithë jetën e saj që e ka shpenzuar nga pikëpamja profesionale në gjykatën Kushtetuese si këshilltare dhe nga pikëpamja profesionale mund të ishte një kadidate shumë e mirë, por nga pikëpamja e integritetit dhe etikës profesionale, më këto lëvizjet jo te noteri .. këto janë për barsaleta juridike. Ia thash tim biri që studion për drejtësi, ke një fat shumë të mirë për të kuptuar një cështje shumë të thjeshtë që askund në Perëndim nuk ndodh. Për të kuptuar se si ndahet e drejta publike nga e drejta private. Me këtë dua të them që me ligjet e martesës nuk ndërtohet parlamenti. Janë të ndara.”- vijoi Manjani ndërsa theksoi se juridikisht kjo cështje është e mbyllur, kush u emërua nga Presidenti e kush nga Parlamenti, u betuan mbi kushtetutë nis detyrën.
“Znj. Vorpsi mund të shkojë edhe te një përmbarues tani, se meqë shkoi te noteri edhe përmbaruesi mund t’i shkojë nga pas, këto janë qesharake.” tha ndër të tjera Manjani, ndërsa komentoi edhe rezolutën e miratuar një ditë më parë në Kuvend.

“Rezoluta nuk është një akt juridik, lexojeni kushtetutën. Rezoluta është një dokument politik me natyrë deklarative. Kuvendi ka 30 vjet që bën rezoluta, hajd tallemi pak bëjmë një rezulotë. Ky është thelbi, ose e kemi edhe seriozisht për cështje të rëndësishme, pra, janë fjalë deklarative ajo rezoluta nuk ndryshon asgjë. Është pjesë e barsoletës së madhe që ndodh në politikë”.

“Marsida është e dekretuar nga Presidenti, e betuar në Kushtetutë është gjyqtare e gjykatës kushtetuese dhe pikë! Në fletoren zyrtare e administruar nga dikush për arsye politike, më vjen keq ta them këtë, po për gjueti politike është diçka për t’u parë, ata që nuk e botojnë pastaj këtë duhet të përgatiten që duhet të shkojnë në burg për shpërdorim detyre. Mund të mos ndodhë sot se i kanë të gjitha në dorë, por një ditë nuk do t’i kenë në dorë, se nuk do e ketë në dorë gjithë jetë, ose nëse këtu pastaj shpallet mbretëria e budallenjve.. OK, po marrim plaçkat e po ikim, se nuk do rrimë me budallenj gjithë jetën. Po cështja është që në pikëpamjet ligjore e shtetërore fletorja zyrtare ka një drejtor atje qe merret me këtë punë edhe e ka automatike këtë, s’merr leje. Tani nëse botimi bëhet me leje politike, ai apo ajo kush është sot duhet të hyjë në burg.” -u shpreh Manjani.

Për Manjanin edhe mbledhja e një ditë më parë në gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e znj.Vorpsi ishte një tjetër çmenduri.
“Edhe kjo është një çmenduri më vete. Se ti mund të shkosh në Gjykatën Kushtetuese e të thuash dua të më shqyrtosh të drejtën time që më është mohuar, bën padi. Dhe pastaj gjykata e shqyrton në rrugë zyrtar. Kurse ca ndodh, një person që quhet Arta Vorpsi, me detyrë ende këshilltare, i thotë 4 gjyqtarëve, as vetes nuk ia thotë meqë pretendon se është gjyqtare, merrni një vendim për mua. Dhe vazhdon parodia, këto edhe mblidhen, bëjnë një diskutim me këtë, që ajo duheshe injoru menjëherë. Si mund të tallet njeriu kaq rënë me gjykatën supreme të vendit. Më ka lënë një shije shumë të keqe. Fillimi më i poshtër i mundshëm që mund të ndodhë me Gjykatën Kushtetuese” u shpreh Manjani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re