Një vrasje me armë zjarri ndodhi këtë të martë në Peqin, ku burime bëjnë me dije se mbeti i vrarë 45-vjeçari Ylber Xhahysa. Ku i fundit ishte pronar i një rrjeti kabllor që mbulonte me sinjal televiziv dhe të internetit të gjithë zonën.

Autori i vrasjes është shtetasi Leonard Bashalliu, ndërkohë që ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al, se ngjarja e ka pasur zanafillën 5 vite më parë, ku viktima i kishte gërvishur mjetin autorin, dhe kjo është bërë shkak që konflikti të përsëritet. (Lexo lajmin) 

Mësohet se Bashalliu ishte një person problematik, dhe vazhdimisht pretendonte se ishte ”i forti” i fshatit, duke nxitur përplasje me banorët e tjerë të zonës.

Sipas Policisë autori u ndoq dhe u lokalizua pas ngjarjes, dhe u arrestua, ndërsa me vete iu gjet dhe arma e krimit. (Lexo edhe ketu lajmin)

Siç shihet dhe në pamjet e siguruara nga gazetarja e Fax News Entela Duka, vrasja ka ndodhur në lokalin e fshatit Gjocaj të Peqinit, ku si autori dhe viktima ishin duke konsumuar kafen e mëngjesit.

Pas arrestimit Bashalliu është marrë në pyetje dhe ka thënë se me viktimën kishte pasur një konflikt disa vite më parë, dhe situata ishte përsëritur mëngjesin e sotëm.

Ndërkohë që banorët e zonës, flasin me fjalë të mira si për viktimën ashtu dhe për autorin, ndërsa ka prej tyre nga ata që nuk duan të prononcohen, për të mos qenë palë me asnjërin.

“Nuk di gjë më tepër, të dy janë nga Gjocaj, fshatarë, nuk di që të kenë pasur konflikte. Është një ngjarje shumë e rëndë”.

“Nuk mund të flas dot, më lini rehat ë të keqen, nuk di gjë”.

“Njeri i mirë, jo çfarë problematiku, këtu po ndodhin vrasjet si program, shihni në televizor çdo ditë. Çdo njeri duhet të mos ketë probleme, gjithë ditën në kafe dhe mërziten, janë mendjepak, shkurt muhabetit”.

“Viktimën e njihim se ka qenë pronar i kabllorit nga zona jonë, ka qenë shumë djalë i mirë (autori), për këtë gjë që ka bërë nuk e di”.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Policia kap dhe vë në pranga disa minuta pas ngjarjes, autorin e vrasjes së 45-vjeçarit, ndodhur në fshatin Gjocaj, Peqin.

Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:30, në fshatin Gjocaj, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. B, rreth 40 vjeç, banues në Gjocaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Y. Xh, rreth 45 vjeç, banues në fshatin Pajov, i cili si pasojë e plagëve ta marra ndërroi jetë në spitalin e Peqinit.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes  dhe pas disa minutash ndjekje nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re