Maskat duket se po blihen më shumë se lulet. Një ditë na ndanë nga nisja e vitit të ri shkollor, por përpara dyqaneve të luleve nuk është atmosfera e viteve të shkuara.

Prindërit e fëmijët janë të pakët ose mungojnë ndërsa disa prej shitësve na tregojnë se blerjet ju kanë rënë.

”Nuk më duket sikur shkolla do të fillojë. Në krahasim me vitet e tjera, interesi është shumë i ulët”, thotë një shitëse.

Rreth 480 mijë nxënës dhe 30 mijë mësues në të gjithë vendin nesër do të nisin vitin më të vështirë shkollor për shkak të pandemisë së Covid-19.

Për të ruajtur distancën mes njëri tjetrit në 480 shkolla mësimi do të zhvillohet me dy turne ndërsa në 180 shkolla me 4 turne.

Në disa prej institucioneve arsimore janë konstatuar arsimtarë më koronavirus, por kjo sipas Ministrisë së Arsimit kjo nuk do të ndikojë në hapjen e shkollave.

Rreth 1 mijë mësues janë në dispozicion për të bërë zëvendësimet aty ku ka nevojë.

Sa i përket nxënësve prindërit duhet të deklarojnë gjendjen shëndetësore të fëmijës përmes këtij formulari.

Forma e plotësimit të tij sipas specialistes në Institutin e Shëndetit Publik Jonida Haxhiu do të vendoset nga shkolla ndërsa koordinatori i saj do të verifikojë vërtetësinë e tij tek institucionet shëndetësore.

Ashtu si do të bëjë për të mësuar për gjendjen e nxënësit dhe në rastet kur ai kthehet në shkollë pas mungesës.

“Është edhe një informacion qe vjen nga familja që ky fëmijë është i shëndetëshëm. Çdo shkollë tashmë ka caktuar një koordinator që do të jetë në rolin e informatorit”, thotë ajo.

Nëse fëmija shfaq temperaturë apo shenja të ngjashme të koronaviursit sipas protokollit anti-Covid prindi nuk duhet ta dërgojë në shkollë, por duhet të komunikojnë me mjekun e familjes, do të jetë ai që do të vlerësojë nëse bëhet fjalë për një virozë apo për Covid-19.

Ndërsa në rastet kur një mësues apo nxënës infektohet me Sars Co V 2 do të jenë struktura shëndetësore që do të vendosin për mbyllje të klasës apo të shkollës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re