Një prej figurave kryesore të neuro-kirurgjisë dhe radio-kirurgjisë europiane, doktor Kita Sallabanda është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit.

Ceremonia e dhënies së këtij titulli, është zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” ku kanë qenë të pranishëm edhe personalitete të njohura në fushën e mjekësisë ,trupave diplomatikë e institucioneve të larta shtetërore.

Për kryebashkiakun e Beratit Ervin Demo, mjeku Kita Sallabanda është qytetari beratas model, që me punën e tij të palodhur ka ndihmuar dhe asistuar njerëz të panumërt në kohët e tyre më të vështira.

Demo ka theksuar se,doktor Kita dha një kontribut të madh për Shqipërinë edhe gjatë pandemisë, në mënyrë që Shqipëria të mos ngelte pas në garën e sigurimit të vaksinave dhe të shpëtimit të jetëve të njerëzve.

Kita Sallabanda u vlerësua nga qyteti ku lindi dhe u rrit me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit, me motivacionin: “Për misionin sublim dhe përgjegjësinë e lartë, të treguar si mjek e si qytetar, duke u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim në betejën me Covid-19.

Betimi i Hipokratit, si një ligj moral i fuqishëm është formësuar në mënyrë identitare tek doktor Kita Sallabanda”.

“Kam marrë shumë tituj në jetën time por ky është titulli më i veçantë, i dhënë nga qyteti ku u linda dhe u rrita”, ka thënë mjeku Kita Sallabanda, i cili ka falënderuar qytetarët beratas për titullin dhe profesorin e tij Mentor Petrela, i pranishëm në këtë ceremoni.

Qytetarët beratas e njohin mjekun Sallabanda në vitet ’90, kur ai filloi të punonte në Berat dhe të gjithë e njohin humanizmin e tij. Në vitin 2000 doktor Sallabanda filloi karrierën e tij mjekësore në Spanjë, ku punoi shumë dhe filloi gjithçka nga e para dhe arriti të marrë titullin e neuro-kirurgut, profesorit të asociuar dhe të ribënte sërish doktoraturën. Ai e filloi karrierën në Spanjë si ndihmës kirurg në një klinikë private dhe sot punon në një nga spitalet më të mëdha të Madridit. Është drejtor i Masit Ndërkombëtar të radio-kirurgjisë, sistemit nervor e qendror në universitetin Conclutesse të Madridit. Ai ka publikuar një numër të lartë artikujsh shkencor në revista të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe 2 libra për radio-kirurgjinë e sistemit nervor qendror.

Mjeku shqiptar ka marrë në Spanjë “medaljen e arit” nga Akademia Mbretërore Spanjolle e Mjekësisë si dhe “titullin e fisnikërisë” për meritat civile, dhënë nga mbreti i Spanjës.

Me titullin “Qytetar Nderi” u vlerësua edhe drejtuesi i Muzeut Solomon në Berat, Gazmend Toska. Ai e mori titullin e lartë me motivacionin: “Për kontributin dhe aktivizimin e lartë qytetar në përkrahje të njerëzve në nevojë, për kontributin në vazhdimin e aktivitetit të muzeut “Solomon” dhe për çdo aktivitet tjetër që ai është angazhuar për ti ardhur në ndihmë të gjithë komunitetit të bashkisë së Beratit”. Toska ja ka dedikuar titullin e nderit të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, me të cilët ka punuar për të ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë.

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re