Kryeministri Edi Rama është shprehur se mbështet vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Kushtetueses në lidhje me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Në një postim në X, kreu i qeverisë inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët kyç për të demonstruar se Kosova është një partner i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik.

“Unë e mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më mirë vonë se sa kurrë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit.

Unë inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, shkruan Rama.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, për tokën e Manastirit të Deçanit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi, të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë”, ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re