Disa ditë para përfundimit të shkollës për festat e fundvitit, mësuese Parker merr një telefonatë nga nëna e një nxënëse të saj, në klasën e dytë fillore.

Gruaja pyeti mësuesen nëse ishte në dijeni të ndonjë mundësie për të gjetur ushqim për fëmijët e saj përgjatë dy javëve të pushimit. Gruaja i shpjegoi mësueses se ishin të varfër dhe vareshin nga ushqimi që shkolla u jepte fëmijëve në mensë, falas.

Mësuese Parker e kujton në lot atë telefonatë e cila ndodhi 6 vite më parë.

“Ajo nënë më tha se nuk ishte fare e shqetësuar për veten, por s’mund të linte fëmijët e saj pa ushqim për dy javë… e bisedova me tim shoq se çfarë mund të bënim, ne duhet të bënim diçka” kujton mësuesja, teksa historinë prekëse e tregon për “The Washington Post”.

Mësuesja së bashku me të shoqin, dolën vetë për të blerë ushqime për gruan dhe fëmijët e saj, por më tutje në mendje u shkoi për familjet e tjera.

“Me siguri që nëse një prind po i kalonte pushimet pa asnjë ushqim në shtëpi, do të kishte të tjerë si ajo”-kujton mësuesja.

Kësisoj burrë e grua vendosën t’i dërgojnë mesazh cilitdo që njihnin për të mbledhur donacione me qëllim që t’i blinin 22 nxënësve të klasës ushqime. Mësuese Parker arriti të mbledhë 500 dollarë. Ishte viti 2015 dhe në atë kohë, ajo mundi t’i dërgojë ushqime disa familjeve.

Me t’u dhuruar ushqim familjeve të nxënësve të saj, mësuesja vendosi që këtë akt bamirës ta bëjë çdo vit.

Për vitin e ardhshëm ajo mblodhi mbi 1 mijë dollarë e kështu me radhë. Në vitin 2019  u mblodhën 55 mijë dollarë, ndërsa vitin që lamë pas (2021) mbi 100 mijë dollarë.

Së bashku me 70 vullnetarë të tjerë, mësuesja dorëzoi tek të paktën 5200 nxënës të shkollës fillore ushqime falas për dy javë me radhë.

Mësuesja tregon se inspirimin e saj më të madh e ka patur prej nënës, një grua që rriti e vetme tre fëmijë dhe arriti të marrë një shkollë doktorale. Nëna e saj Mariana, kishte punuar për 43 vite si mësuese, duke u bërë kësisoj shembulli i të bijës, e cila sot ndihmon mijëra nevojtarë.

Nëna, o Zot i madh, ajo ishte inspirimi im. Më kujtohet tek shihja gjithç bënte ajo për fëmijët dhe qëkur isha e vogël, doja dhe unë të bëhesha mësuese.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re