Mbledhja e Komisionit të Sigurisë është shoqëruar me ironi mes kryetarit socialist, Nasip Naço dhe deputetit të PD-së, Ervin Salianji.
Salianji ka kërkuar paraqitjen në Komision të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, për të raportuar mbi situatën në vend, teksa u shpreh se “8 deputetë të opozitës kanë depozituar kërkesën që në datën 11 shtator”.
“Lajmi i mirë është që më në fund pjesa e opozitës arriti të firmosë 8 deputetë”, u shpreh Naço, ndërsa Salianji u përgjigj: “Do të bëhemi 75 mandatin tjetër”, referuar zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në vitin 2025.
Deputeti demokrat i bëri ftesë Nasip Naços t’i bashkohej opozitës teksa theksoi se “do të fitojmë ne”, ndërsa kryetari i Komisionit ironizoi duke thënë që “me humbësit të bëhem unë”.
Pjesë nga debati:
Ervin Salianji: Ke që në datën 11 shtator që 8 deputetë të opozitës kanë depozituar kërkesë për ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur në vend, për të thirrur Ministrin e Brendshëm. Është kërkuar brenda datës 15 për të ardhur e dhënë informacione e shpjegime.
Thirre të vijë, nëse nuk dinë të flasin e nuk kanë argument për çfarë i vendosni ministra.
E keni lajmëruar apo jo? Nëse nuk ke fuqi na thuaj të merremi të gjithë. Është mbyllur në bunker, se nuk ka faj ore me gjithë këto ngjarje kriminale që ka Shqipëria, vetëm fati mund të të shpëtojë. Bën mirë ai që rri mbyllur. S’vijmë kot të dëgjojmë çfarë të doni ju.
Nasip Naço: Lajmi i mirë është që më në fund pjesa e opozitës arriti të firmosë 8 deputetë.
Ervin Salianji: Do të bëhemi 75 mandatin tjetër në rritje jemi, do të bëhemi minimalisht 75
Nasip Naço: Nuk tremben unë, lajmi i mirë që më në fund u bëtë 8. Më pyetët pse s’vjen drejtori i përgjithshëm
Ervin Salianji: Mos u bën si këta që kanë marrë analfabetë, sepse ju nuk jeni, jeni prefesionistë. Mos u bëj analfabetë. Ne kemi të gjithë të zezat, a e ke zbatuar ligjin? Çfarë lidhje ka kjo me rritjen e sheqerit. S’po e pyes për ndeshjet e futbollit
Nasip Naço: Sot është drejtori i përgjithshëm i burgjeve, nesër drejtori i emergjencave, e me radhë se më në fund opozita është zgjuar, është pajisur që Komisioni të vijojë normalisht.
Ervin Salianji: Me qënë se të vjen shumë mirë hajde ktej nga ne, se do të fitojmë ne
Nasip Naço: Ju do të rrini në opozitë, me humbësit të bëhem unë
Ervin Salianji: E keni vënë re edhe ju që po rritemi, bujrum kush nuk ka probleme të kalojë ktej
Nasip Naço: Tek humbësit?