Skip to content

“Më pa Zoti” Historia prekëse e ish ushtarakut, takon pas 77 vitesh fëmijët që shpëtoi në luftë

Kanë kaluar 77 vite, por në memorjen e këtij 97 vjeçari qëndron ende ajo ditë kur shpëtoi një familje nga plumbat e vdekja e sigurtë.

Martin Adler, veteran i Luftës së Dytë Botërore, kujton luftimet ne nazistët në Itali gjatë vitit 1944 dhe një ndodhi që do ta mbante në zemër për 77 vite. Gjatë kontrollit në një shtëpi në fshatin e Monterenzio-s (Bolonja) Martin Adler dëgjon një zhurmë në një kashtore të madhe. Adler së bashku me ushtarakët e tjerë amerikanë mendojnë se brenda mund të ishte fshehur ndonjë ushtar gjerman dhe menjëherë bëhen gati të qëllojnë. Në atë moment nga prapa del një grua dhe nis të bërtasë në italisht “bambini, bambini” (fëmijë, fëmijë). Në koshin e madh prej kashte, gruaja italiane kishte fshehur fëmijët e saj.

“Ajo nënë doli me vrap dhe qëndroi përpara automatikut tim. Vendosi barkun e saj tek arma që të mos qëlloja dhe thërriste fëmijë, fëmijë, fëmijë. Ajo ishte heroina e vërtetë dhe jo unë. Ajo nënë ishte heroina. A mund ta imagjinoni që të qëndroni përpara njerëzve të armatosur e të bërtisni “fëmijë, jo”-kujton 97 vjeçari.

E nga koshi i kashtës dalin fytyrat e imta të tre fëmijëve, të trembur e me lot në sy. Adler ul armën së bashku me ushtarët e tjerë, duke menduar se ata për pak qëlluan mbi disa fëmijë. I jep disa çokollata fëmijëve dhe bën këtë foto, që e mbajti dhe ruajti.

E pas 77 vitesh, 97 vjeçari kërkoi ndihmën e fëmijëve të tij për të gjetur familjen italiane. Familja italiane kontaktoi me të moshuarin pasi foto që ai kishte ruajtur u botua në një median lokale në Bolonja. Pavarësisht moshës së thyer, Adler u nis nga Amerika drejt Italisë, për të takuar pikërisht ata fëmijë, që sot janë në të tetëdhjetat e tyre.

Si 77 vite më parë, takimi është prekës ndërsa buzëqeshja përshkruan të gjithë fytyrën e ish ushtarakut.

Fëmijët ishin fare të vegjël (nga 3 vjeç deri në 6) dhe vetëm një prej tyre e kujton ngjarjen. Ajo është Guliana Naldi, e cila kujton momentin kur doli nga koshi e lehtësuar teksa të gjithë po buzëqeshnin.

“Të gjithë po qeshnin dhe më kujtohet që hëngrëm aq shumë çokollata”-kujton e moshuara.

Më poshtë gjeni pamjet e takimit