Numri i ndërmarrjeve të reja të hapura në vitin që lamë pas ka shënuar rënie krahasuar me 2018, rreth 2800 më pak.

Një nga arsyet kryesore në këtë tendencë është mbyllja e tregut të lojërave të fatit, pasi ky sektor mbante një peshë të konsiderueshme në hapjen, si dhe mbylljen e pikave të lojërave. Por edhe ndryshimet ligjore, ku një person fizik nuk mund të ketë më shumë se një Nipt është një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë situatë.

Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Biznesit Pranvera Fagu, në një intervistë për Vizion Plus, thotë se iniciativa e shqiptarëve për të investuar është kryesisht në sektorin e tregtisë dhe riparimin e automjeteve.

Por çregjistrimi i biznesit vijon të jetë një proces i komplikuar. Një fakt ky, i cili evidenton se numri i sipërmarrjeve të mbyllura në vitin që lamë pas është afro 1600 më pak se 2018.

Ky fakt ka bërë që një pjesë e tyre të kalojnë në status pasiv.

Duke ju referuar të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në sipërmarrjet e reja të regjistruara dominojnë ato me pronësi shqiptare, ndërsa vetëm 147 prej tyre janë me pronësi të huaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re