Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në Sarandë, pas një operacioni policor ku u arrestuan 5 persona dhe u sekuestruan armë zjarri, municion dhe një silenciator.
Operacioni i koduar “Silenciatori” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Dy prej të arrestuarve, S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë, u kapën në flagrancë në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, ndërsa dyshohet se kishin nxjerrë armët nga automjeti dhe qëndronin në pritë në një zonë pa ndriçim.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi dy pistoleta, municion luftarak, një silenciator dhe dy automjete.
Në pranga ranë edhe tre persona të tjerë, V. H., 20 vjeç, V. P., 31 vjeç dhe F. B., 21 vjeç, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi”.
Njoftimi:
Sarandë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Silenciatori”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Falë informacionit të siguruar dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët, në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë, në një zonë pa ndriçim.
Gjatë operacionit arrestohen edhe 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 silenciator dhe 2 automjete.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Silenciatori”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ndërhynë në kohë, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, dhe vunë në pranga, në fshatin Gjashtë, shtetasit:
S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë;
A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Po gjatë operacionit u vunë në pranga edhe shtetasit:
V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë;
V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë;
F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se këta shtetas kishin ardhur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje.
Shtetasit S. M. dhe A. K. u kapën në flagrancë në momentin kur po nxirrnin nga automjeti 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator.
Tre shtetasit e tjerë, të cilët ndodheshin me ta, u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e objektivit të synuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
