Duke folur në Këshillin e Integrimit, kryeministri Rama bëri thirrje që palët të ulen sa më shpesh në tryeza së bashku, pa pasur negociim të ambasadave, pasi siç tha ai ëshytë e turpshme që ende sot marrëveshje që i shërbejnë vendit, bëhen në selitë e diplomatëve.

Duke iu referuar përplasjeve me Metën, Rama tha me humor se me presidentin mund të takohej dhe në selitë e institucioneve fetare, ndërsa shtoi se në mbledhjen e sotme të Këshillit të sigurisë, duhej të ishte dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, në cilësinë e kryeopozitarit të sotëm dhe kryeministrit të nesërm.

“Nuk është sekret që me presidentin e Republikës ne kemi çështje të hapura, por që patjetër mund të takohemi, edhe te kreu i Kuvendit, edhe te Baba Mondi, mund të takohemi dhe te protestantët se janë pak më shumë asnjëanës, por ne nuk mund të bëjmë më marrëveshje duke qendruar në ambasada.

Për çështje që ne duhet ti zgjidhim vetë, nuk duhet të bëjmë sikur nuk jemi të njëjtët, është vërtet pozitive që këtu janë krerët e institucioneve më të larta, por këtu duhej të ishte dhe opozita, që mund të jetë qeveria e nesërme.

Ajo që e bën BE një institucion të bashkëjetesës mes njerëzve, dhe që i karakterizon të gjitha këto vende, jo sesa shumë bjenë dakord me njëri tjetrin, por si u zgjidhin mosdakordësitë mes njëri tjetrit. Nuk mund të ketë më mosdakordësi me baltë dhe me zjárr ndaj njeri tjetrit”, u shpreh Rama.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re