Teksa ka bërë një rezuyme të situatës ekonomike të biznesve në Kosovë dhe vështirësive të skajshme që kërcënojnë sipas tij seriozisht falimentimin e tyre për shkak të ndikimit që ka pasur pandemia e koronavirusit, kryeministri i Kosovës Avdullah Hot ii ka kërkuar ‘ndihmë’ Vjosa Osmanit.

Hoti bën me dije se i ka dërguar një letër kryeparlamentares, përmes të cilës i kërkon përfshirjen në seancë plenare dhe votimin e ndërhyrjes në buxhetin e vitit 2020 si e vetmja mundësi për të shpëtuar biznesin kryesisht atë që drejtohet nga sipërmarrësit e rinj dhe gratë.

Gjithashtu Hoti kërkon  nga Osmani ri-procedimin për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Postimi i Hotit në Facebook: Bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë ato të drejtuara nga gra dhe sipërmarrës të rinj, janë duke u goditur më së shumti nga rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia. Masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë rezultuar në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie masive të kërkesës në shumicën e sektorëve.

Për të vazhduar të luajnë rolin e tyre vendimtar në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, bizneset varen më shumë se kurrë nga një mjedis ekonomik favorizues që siguron mbështetjen për qasje në financa, informacion dhe tregje.

Dje i kam kërkuar edhe me shkrim kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që Kuvendi i Kosovës ta trajtoj me prioritet Projektligjin për plotësim ndryshimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, si dhe ri-procedimin për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh pasojat që kjo pandemi po shkakton në ekonomi, aprovimi i Projektligjit të Buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i hapte rruga Qeverisë për të ndërmarrë masa të menjëhershme në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, me planin shumë të nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Prandaj, me mirëkuptim për situatën e rëndë ekonomike në vend, kërkojë që ky projektligj të trajtohet me prioritet të lartë.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re