Kanë vijuar shembjet e banesave në lotin e tretë në zonën e Astirit, ndërsa aksioni i IKMT-së është zhvilluar sot pa rezistencë nga ana e banorëve. Por pavarësisht faktit që nuk ka pasur përplasje, dhimbja për banorët që shohin tiu shembet para syve pasuria që kanë ndërtuar me djersë, padyshim që ka qenë e madhe.

Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, të siguruar nga Fax News, një prej banoreve që ka mbetur sot në rrugë të madhe, thotë se nuk mund të gjejë shtëpi me qera sa hap e mbyll sytë.

”Nuk na lanë as të hiqnim mobiljet, nuk lajmërohet njeriu që të largohet për dy orë nga shtëpia, ja rrobat, ja govata e çunit, më raftë pika ku ngeli. Me bebe, me pleq të sëmurë, në mes të dimrit, kam dalë me fëmijë të sëmurë për të kërkuar shtëpi me qera. Ku ti gjente lekët babi dhe mami që tiu jepnin para këtyre, që të dilte leja e legalizimit, ata 200 mijë lekë pension marrin të dy”, shprehet një prej banoreve në video.

Banorja tregon më tej se ka 16 vite që shtëpia e prindërve të saj ka qenë në proces legalizimi, ndërkohë që nuk kanë përfituar as bonus qeraje.

“Prindërit e mi nuk kanë marrë as bonus qeraje, kanë punuar në të zezë te tregu. Kanë nxjerë shumë njerëz në rrugë, ku është shteti që ta ndjekë këtë çështje. Ai del e bën pallavra, janë vetëm shoë,  ne jemi në rrugë sot, kam dy prindër të sëmurë. Nënën e kemi marrë zvarrë dhe e kemi futur në një shtëpi, asnjë nuk kanë marrë dëmshpërblim”, shprehet më tej banorja.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re