Ish Kryeministri i Kosovës ka folur për herë të parë për situatën e Koronavirus në Kosovë teksa është ndalur edhe tek marrëdhënia që ka me Kryeministrin Edi Rama. I pyetur nëse ka komunikuar me të dhe si i ka parë zhvillimet në Shqipëri, Haradinaj u shpreh se prej kohësh nuk komunikon me Kryeministrin Rama megjithatë shprehu respekt për masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

“Me thënë të drejtën kam një ndërprerje në komunikim, ka një kohë të gjatë, prej rrethanave të tjera. Nuk kam arritur me e rikthy. Jam interesuar për gjendjen përmes plot kanaleve, në raste të caktuara komunikoj me presidentin Meta, por dhe me shumë të tjerë.

Tani duhet të shpreh respekt për të gjitha ato masa. Bëhet fjalë për ruajtjen e jetës së njerëzve. Me siguri ka vend për kritika dhe për t’u bërë më mire, por duhet shprehur respekt sepse kërkohet edhe disiplinë.

Ne kemi një rregull të papajtueshmërisë politike të gjithë ndër vete, edhe unë i kam në raste të caktuara me zyrtarë të caktuar. Por është koha që duhet të jemi bashkë, vërtetë duhet ta kalojmë këtë situatë bashkë”, u shpreh kreu i AAK-së.

Haradinaj vijoi më tej duke komentuar edhe kapacitetet e dy vendeve në përballimin e kësaj situate, duke u shprehur se pas fatkeqësisë së tërmetit duhet të kishim mësuar të vepronim më shpejt dhe më pranë njëri tjetrit tha në “Emisionin e Pasdites” në Vizion Plus.

“Ne si shqiptarë kemi pasur tërmetin në Shqipëri dhe tani prapë kemi pandeminë. Kjo duhet të na kishte ndihmuar ne me i rrit kapacitetet tona vepruese në raste fatkeqësie në vështirësi të caktuara. Ne duhet me qenë një përkujtues i fundit për ne si shqiptarë, po flas ne si popuj si vende me bë kujdes me i rrit këto kapacitete. E ka shprehje populli po më zure pa përgatitur fale, herën e dytë jo. Kosova dhe Shqipëria duhet ti kenë kapacitetet e veta me u përball me fatkeqësi natyrore si rasti i tërmetit, vërshime, zjarr, epidemi ose pandemi siç ndodhi ky rasti i fundit.

Mund të ketë edhe fatkeqësi të natyrave të tjera ne duhet me u përgatit dhe me qenë të aftë. Ja kemi borxh jetës sonë, fëmijëve tanë” përfundoi Haradinaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re