Kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha komentoi raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 14 Majit, ndërsa deklaroi sërish se me kryeministrin Rama nuk mund të ketë zgjedhje.

Nga konferenca për mediat, Berisha theksoi se ky raport ka një mesazh për shqiptarët e sipas tij është se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje por ka farsë.”

Berisha deklaroi se çështjeve shqetësuese për votën e lirë të shqiptarëve do tu përgjigjet përmes protestave të fuqishme dhe përpjekjeve të tjera komplekse.

“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë.

Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite.

Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që don ai. Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit.

Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet. Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse.

Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato.”, tha Berisha për gazetarët.

I pyetur për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, siç ka premtuar shpeshherë, ish-kryeministri tha se “votën nuk do ta mbrojë me armë, por përmes vërtetimit të dhunimit të saj.”

“Ne jemi zotuar përpara shqiptarëve se do mbrojmë votën.

Mbrojtja e votës është një proces. Ne kemi pasur parasysh qëndrimin tonë, që votën nuk e mbrojmë me armë, por ky raport ndërkombëtar, i cili pasqyron një për një çështjet më themelore të këtij libri të zi, kushtuar farsës elektorale të 14 majit, në 690 faqe të tij, dhe ju garantoj se do ketë një vëllim tjetër, për disa gjëra që do ua bëjmë të ditur më vonë, por janë të gjithë për mbrojtjen e votës.

Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton vërtetimin e dhunimit të saj. Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton gjetjen e rrugëve për garantimin e votës së lirë.

Pra, në këtë kontekst, ne jemi në përputhje me atë që kemi deklaruar. Duart e tyre janë prerë, janë në këtë raport. Duart e zeza janë në këtë raport dhe vazhdon beteja,” deklaroi Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re