Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, ka telefonuar Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, për t’ia uruar muajin e Ramazanit.

Dy udhëheqësit kanë shkëmbyer urime me rastin e muajit të agjërimit, njoftoi agjencia zyrtare saudite SPA, ndërkohë që kjo është biseda e parë midis emirit katarian dhe mbretit saudit që nga pajtimi midis vendeve të Gjirit.

Në qershor të vitit 2017, vendet arabe si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti e akuzuan Katarin për “mbështetje të grupeve terroriste” dhe i ndërprenë të gjitha lidhjet diplomatike me vendin, duke vendosur embargo ekonomike.

Gjendja krijoi një krizë në rajonin e Gjirit, ndërkohë që Katari mohonte të gjitha akuzat.

Përpjekjet për t’i dhënë fund krizës dhanë fryte në fillim të këtij viti.

Më 4 janar, ministri i Jashtëm i Kuvajtit, Ahmed Nasser Mohammed al-Sabah, njoftoi se është arritur një marrëveshje për të hapur kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë midis Arabisë Saudite dhe Katarit.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud, njoftoi në Samitin e 41-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) të mbajtur në qytetin Al-Ula më 5 janar se vendet që kishin vendosur embargo ndaj Katarit kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Dohan dhe se embargoja është hequr.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re